Lufta në Ukrainë, këto janë të rejat e fundit

 

Beteja për Donbasin ka nisur! Kështu tha presidenti Volodymyr Zelensky, teksa lajmëroi nisjen e ofensivës së shkallës së gjerë të forcave ruse për pushtimin e rajonit lindor.

Beteja ishte paralajmëruar prej kohësh dhe shënon nisjen e fazës së dytë të luftës, pasi ushtria e Putinit dështoi të merrte kontrollin e veriut të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Zelenski thotë se asgjë nuk do t’i ndalë forcat e tij, pavarësisht se sa rusë do të vijnë në rajon.

“Tani mund të konfirmojmë se trupat ruse kanë filluar betejën për Donbasin, të cilën ata e kanë përgatitur prej një kohe të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani i është përkushtuar kësaj ofensive. Sado ushtarë rusë të vijnë këtu, ne do të luftojmë. Ne do të mbrohemi. Ne do ta bëjmë atë çdo ditë. Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë e jona dhe nuk kemi nevojë për ato që nuk na përkasin ne”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Luftimet në Ukrainën lindore u intensifikuan pasi Rusia tërhoqi trupat nga rajoni i Kievit për t’u fokusuar në rajonin e Donbasit, të cilin e kanë kontrolluar pjesërisht separatistët pro-rusë që nga viti 2014. Granatimet ruse vranë të paktën tetë civilë në Ukrainën lindore, e po kështu në Donjeck u raportua se 4 civilë të tjerë vdiqën pas bombardimeve ruse.

Trupat ruse kanë pushtuar qytetin e Kreminës në Ukrainën lindore. Trupat ruse qëlluan për vdekje njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga qyteti, tha guvernatori rajonal i Luhansk, Serhiy Gaidai duke pretenduar se katër persona ishin vrarë teksa po përpiqeshin të evakuoheshin me automjetet e tyre të hënën në mëngjes.

“Armiku po përpiqet të vijojë operacionet e ofensivës në rajonin lindor për të marrë kontrollin e plotë të Donetsk dhe Luhank. Por mbrojtësit e Ukrainës zmbrapsën 7 sulme në këto zona, shkatërruan 10 tanke dhe sisteme të artilerisë armike”, u shpreh Oleksandr Shtupun, zëdhënës i forcave të armatosura ukrainase.

Paralelisht me ofensivën në rajonin lindor të Donbasit, po zhvillohet edhe beteja për qytetin strategjik të Mariupolit. Fortesa e fundit e forcave ukrainase në Mariupol është fabrika e celikut Azovstal, një nga fabrikat metalurgjike më të mëdha të Evropës. Rusia u bëri thirrje forcave ukrainase që “menjëherë” të dorëzojnë armët dhe lëshoi një ultimatum të ri që mbrojtësit e qytetit-port të rrethuar të Mariupolit që të heqin dorë.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka akuzuar  SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore se “po bëjnë gjithçka për të zvarritur operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë”.

“Plani për çlirimin e plotë të Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut po zbatohet vazhdimisht dhe po merren masa për të krijuar një jetë paqësore”, tha Sergei Shoigu, Ministri rus i Mbrojtjes.

Nga ana tjetër shefi i diplomacisë ruse Lavrov ka thënë se “Rusia do të përdorë vetëm armë konvencionale në Ukrainë dhe jo bërthamore”. Zyrtarët e inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar gjatë javëve të fundit se Kremlini mund të përdorë armë taktike bërthamore nga arsenali i tij nëse pushtimi ndaj fqinjit jugor vazhdon për një kohë të gjatë.

Ndërkohë Brukseli dhe Uashingtoni paralajmërojnë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Shtetet e Bashkuara do të trajnojnë ushtarët ukrainas të përdorin armë amerikane të artilerisë së rëndë, “howitzer”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA, tha se stërvitja do të nisë gjatë ditëve në vazhdim. “Howitzer” është përgjithësisht një armë me rreze të gjatë veprimi e ngjashme me një top, e cila ka predha më të vogla, e që mund të gjuajë më me shpejtësi./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme