Lumezi: Po hetojmë të gjithë të përmendurit në rastin ‘Pronto’

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se prokuroria do të hetojë rastin në aferën “Pronto” dhe sapo të ketë prova të mjaftueshme do të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para.

“Sa i përket rastit ‘Pronto’ kemi treguar se kemi vullnet t’i zbardhim të gjitha rastet që janë kontestuese. Në bazë të informacioneve ne kemi pasur guximin që të fillojmë hetimet dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në rastin Pronto janë në fazën e hetimeve dhe sapo t’i mbledhim provat do të shohim a ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza për personat e përfshirë në këtë aferë”, ka thënë Lumezi.

 

Këto komente kryeprokurori i shtetit i bëri në një konferencë për media ku ka prezantuar raportin e punës për vitin 2016.

Fjalimi i plotë i Lumezit: 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Kam nderin dhe kënaqësinë që së bashku me drejtuesit e prokurorive, të paraqes raportin vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2016.

Fare në fillim gjej rastin të falenderoj kryeprokurorët si dhe prokurorët të cilët i  shërbejnë organit të akuzës për rezultatet e punës së treguar gjatë vitit 2016. Ky raport tregon se secili prokuror  gjatë këtij viti ka tejkaluar normën e paraparë orientuese e cila dëshmon për punë efikase dhe rezultate të mira të punës.

Në periudhën që kemi lënë pas prokurorët e shtetit kanë treguar rritje të efikasitetit dhe performancës, janë zgjidhur me mijëra dosje penale që kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe shumë veprave tjera penale. Gjithashtu, i kemi kushtuar vëmendje të posaçme plotësimit të kritereve të cilat janë të domosdoshme për liberalizimin e vizave.

Prokurorët gjatë vitit 2016 kanë zgjidhur gjithsejt 63.055 lëndë të natyrave të ndryshme.

Nëse bëjmë krahasimin me vitin 2015, sa i përket lëndëve të ndryshme, rezulton se në vitin 2016 kemi pasur rritje të theksuar të numrit të lëndëve të zgjidhura, përkatësisht gjatë këtij viti kemi zgjidhur 20.782 lëndë të natyrave të ndryshme më shumë se në vitin e kaluar.

Në bazë të këtyre të dhënave statistikore evidente është se gjatë vitit të kaluar është bërë mjaft, megjithatë nuk do të thotë se është bërë mjaftueshëm.

Unë vlerësoj rezultatet e punës së prokurorëve të shtetit gjatë vitit 2016, mirëpo dua të theksoj se gjatë këtij viti nga të gjithë prokurorët pres rezultate më të mira dhe paraqitje më të mirë profesionale në hetimin dhe përfaqësimin e akuzave para gjykatave.

Pavarësisht punës së madhe që është bërë gjatë vitit të kaluar, para organit të akuzës mbesin shumë sfida dhe vështirësi të cilat duhet së bashku t’i zgjidhim në mënyrë që të forcojmë sundimin e ligjit dhe të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Vlen të theksohet se gjatë vitit të kaluar kemi treguar se jemi partner kredibil me faktorin ndërkombëtar. Këtë e vërteton fakti se gjatë vitit 2016  Prokuroria e Shtetit është pranuar dhe anëtarësuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Prokurorëve me seli në Holandë, gjë që do të mundësojë prokurorëve të vendit tonë të shkëmbejnë informacionet, përvojat dhe praktikat më të mira në nivel ndërkombëtar.

Prokuroria e Shtetit ka treguar se është e përkushtuar për një sistem të drejtësisë të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional me qëllim që asnjë fajtor të mos i shmanget përgjegjësisë penale, nga ana tjetër i kemi siguruar qytetarët që askush nuk do të merret në përgjegjësi penale në mënyrë të padrejtë.

Gjithashtu kemi treguar se kujdesemi edhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare.

Në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKP, për herë të parë pas 15 viteve kemi arritur që nëpërmjet procedurave penale t’i largojmë uzurpatorë nga pronat e uzurpuara, të cilët deri atëherë ishin të paprekshëm. Si rezultat i punës së Prokurorit të Shtetit është arritur që të lirohen pothuajse të gjitha lokalet e uzurpuara, ky aksion i koordinuar ka bërë që të lirohen shumë lokale dhe objekte tjera dhe për këto raste deri më tani janë ngritur 8 aktakuza.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe raportuese Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka ofruar shërbime për viktimat e krimit në gjithsejt 1355 raste nga të cilat kanë dominuar rastet e dhunës në familje dhe të trafikimit me qenje njerëzore.

Në vitin që lamë pas gjithashtu ka filluar së funksionuari edhe Departamenti për krimet e luftës në kuadër të PSRK. Kemi bërë transferimin e shumë lëndëve nga EULEX-i tek prokurorët vendor.

Vlen të theksohet fakti se pas ndryshimit dhe plotësimit të Ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të EULEX-it të datës 17 qershor 2016,  Prokuroria e Shtetit nuk ka transferuar asnjë lëndë tek prokurorët e EULEX-it.

Gjatë periudhës raportuese Prokuroria e Shtetit ka pranuar 9 raste, ndërsa janë zgjidhur 33 raste, për 47 persona për krime lufte janë pushuar hetimet, për 17 persona është hudhë kallëzimi penal, për 5 persona është ngritur aktakuza dhe kanë filluar seancat gjyqësore.

Prokuroria e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka treguar se është partner kredibil, kur është fjala për bashkëpunimin regjional dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Në bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, AKI-në dhe partnerët ndërkombëtar kemi ndërmarrë veprime për identifikimin e grupeve kriminale dhe pë parandalimin e akteve terroriste. Në këtë drejtim kemi rritur bashkëpunimin me shtetet fqinje si dhe me shtetet tjera.

Si rezultat në këtë periudhë, Prokurori i Shtetit ka pranuar 37 raste të natyrave të ndryshme, ndërsa janë zgjidhur 28 raste me 66 persona. Të gjitha rastet tjera janë në fazën e hetimeve.

Të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të një klime të mosbesimit të përgjithshëm në sistemin e drejtësisë për shkak të efikasitetit të ultë në luftën kundër korrupsionit, edhe përkundër këtij vlerësimi, Prokuroria e Shtetit ka pasur rezultatet konkrete.

Kemi vërtetuar se jemi të vendosur për t’i hetuar të gjitha indiciet, të gjitha rastet që bëhen publike, që përmenden në media, që bëhen shqetësuese për publikun, në të cilat përfshihen zyrtarët publik. Këto raste kanë qenë çështje të analizave dhe hetimeve të Prokurorit të Shtetit gjatë vitit që lamë pas.

Në këtë drejtim kemi hetuar dhe ngritur aktakuza për herë të parë për

3- Ministra në dety

1-ish Ministër,

1- Deputet,

4-Kryetarë Komune,

1-Zv/Kryetar Komune,

2-Ish/Kryetarë Komune,

1- Kryetar Gjykate,

1- ish Gjyqtar,

1- Prokuror,

2- Policë,

3-Sekretarë Permanent,

2-ish Sekretarë Permanent,

54-Mjekë,

Si dhe anëtarë dhe kryetarë të bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme, drejtues të ndërmarrjeve publike, menaxherë dhe zyrtarë të prokurimit, oficer të shërbimit korrekturës, drejtorë komunal, zyrtarë në gjykatë, këshilltarë në Asambletë komunale, avokatë, noterë, inspektorë dhe kryeinspektorë, operatorë ekonomik si dhe shumë zyrtarë tjerë publik.

Vetëm gjatë vitit 2016 kemi zgjidhur 468 kallëzime penale me 1164 persona për vepra penale të korrupsionit, ndërsa gjatë vitit 2016 kemi pranuar 438 kallëzime penale me 849 persona. Gjithashtu kemi zgjidhur edhe 407 kallëzime penale me 512 persona për vepra penale të krimeve ekonomike, kurse të pranuara gjatë vitit 2016 kanë qenë 343 kallëzime penale me 487 persona.

Të dhënat e lartshënuara sa i përket efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike për kryesit madhor të veprave penale (PP) në përqindje shprehen si në vijim:

Prokuroritë kanë zgjidhur 106.84% të numrit të kallëzimeve penale për veprat penale të Korrupsionit ndërsa, 137.10% të personave, ndërsa kallëzimet penale për veprat penale të krimeve ekonomike kemi zgjidhur 118.65% të numrit të kallëzimeve penale.

Gjithashtu, për trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, kemi themeluar ekipin e përbashkët të cilin e udhëheqë Kryeprokurori i PRSK, me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Shërbimit Doganor, Administratës Tatimore, Inteligjencës Financiare dhe Agjencinë për Menaxhimin e Aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve më të rënda. Prokuroria e Shtetit ka krijuar bazën e të dhënave në të cilën përfshihen të dhënat për 35 lëndë të profilit të lartë, për 26 raste tani më janë ngritur aktakuzat. Lëndët tjera janë në fazën e hetimeve.

Viti 2016 ishte viti me rezultatet më të mira të PRSK-së, që nga formimi i saj. Kjo prokurori gjatë vitit që lëmë pas ka pranuar në punë 108 lëndë penale, ndërsa ka zgjidhur 207 lëndë ose 191,6% të lëndëve, që do të thotë ka zgjidhur edhe lëndë të trashëguara nga vitet paraparake.

Prokuroritë themelore gjatë vitit 2016 kanë pranuar në punë 27.084 kallëzime penale me kryes të njohur madhorë dhe të mitur, ndërsa ka zgjidhur 30.680 lëndë, që do të thotë që ka kryer 3.596 lëndë më shumë se të pranuara.

Nëse i krahasojmë këto të dhëna me vitin 2015 atëherë rezulton se në vitin 2016 kemi kryer 14,19% më shumë kallëzime penale se në vitin 2015.

Gjatë vitit të kaluar kemi pranuar 10.859 kallëzime penale me kryes të panjohur, ndërsa kemi kryer 17.807 lëndë që do të thotë se gjatë këtij viti kemi kryer 6.948 lëndë më shumë se sa që kemi pranuar.

Nga të dhënat statistikore të vitit 2016 rezulton se të gjitha prokuroritë themelore kanë kryer më shumë lëndë se sa që kanë pranuar në punë, respektivisht departamentet e krimeve të rënda të prokurorive themelore kanë pranuar në punë gjithsejt 2.611 kallëzime penale, ndërsa kanë zgjidhur 3.453 lëndë që do të thotë se departamentet e krimeve të rënda kanë kryer 842 lëndë më shumë.

Departamentet e përgjithshme gjatë vitit 2016 kanë pranuar në punë 24.379 kallëzime penale, ndërsa kanë zgjidhur 26.678, që do të thotë 2.299 lëndë më shumë.

Prokuroria e Apelit në vitin 2016, në të dy deparatamentet ka pasur gjithsejt në punë 5.281 lëndë penale dhe i ka zgjidhur të gjitha lëndët në punë ose 100% të lëndëve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit gjatë vitit raportues ka pranuar në punë gjithsejt 1.140 lëndë penale nga të cilat i ka zgjidhur 1.154 ose 101,2%, që rezulton se prokurori i shtetit edhe në këtë nivel ka shënuar rezultate të dukshme.

Vlen të theksohet se gjatë vitit 2016, aktet akuzuese të cilat janë dërguar në gjykatë në 86,41% janë marrë aktgjykime fajsuese që është një tregues i mirë për punën profesionale të prokurorëve të shtetit pasi që gjykatat janë institucioni i vetëm i cili nëpërmjet vendimeve gjyqësore vlerëson punën e prokurorëve të shtetit.

Prokuroria e Shtetit ka arritur suksese edhe në fushën e sekuestrimit të pasurisë të krijuar me vepër penale. Në këtë drejtim është shënuar progres në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së krijuar me vepër penale. Të dhënat statistikore bëjnë me dije se këtë vit kemi rreth 60 milionë të pasurisë së sekuestruar dhe më se 1 milion e 200.000 euro pasuri të konfiskuar. Me këto sekuestrime dhe konfiskime jo vetëm që e kemi bërë krimin në disa raste të pafrytshëm por edhe ua kemi marrë fuqinë ekonomike dhe në këtë mënyrë i kemi bërë më të parrezikshëm dhe të parëndësishëm.

Gjatë periudhës raportuese prokurorët e shtetit kanë zgjidhur edhe 6.192 raste me procedura alternative me qëllim që të lehtësojë punën e gjykatave dhe të ju mundësojmë prokurorëve kohë të mjaftueshme për hetimin e rasteve më të rënda.

Prokuroria e Shtetit, në Nëntor të vitit 2016 për herë të parë ka funksionalizuar Zyren për përgjimin e telekomunikimeve në kuadër të Zyres së Kryeprokurorit të Shtetit dhe për një kohë të shkurtër kemi filluar të arrijmë rezultate konkrete në sigurimin e provave në rastet më të rënda.

Janë caktuar zyrtarët të cilët do të punojnë në Njësinë Ndërlidhëse, është nënshkruar marrëveshje e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe AKI, për zbatimin e urdhëresave të përgjimeve telefonike.

Me gjithë rezultatet pozitive Prokuroria e Shtetit është përballur edhe me shumë pengesa, vështirësi dhe sfida të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e kornizës ligjore, buxhetin e pamjaftueshëm, plotësimin e pozitave të lira për prokurorë, numrin e lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake, numrin e vogël të bashkëpunëtorëve profesional dhe mungesën e ekspertëve,  mungesën e zyrtarëve për komunikim si dhe trajtimin e rasteve përmes procedurave alternative.

Nga të gjithë prokurorët e shtetit dhe stafi mbështetës pres që në këtë vit dhe në periudhën e ardhshme me përkushtim t’i shërbejmë  qytetarëve tonë sa herë që ata trokasin në dyert e prokurorisë.

Gjithashtu pres që të rritet komunikimin me qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile sepse ata janë vlerësuesi dhe matësi më i mirë i punës, pavarësisë dhe integritetit tonë.

Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të dëmtuarit e krimit dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i ndihmojnë drejtësisë të bëhen pjesë e rëndësishme e punës tonë për të bërë më të mirën në zbulimin dhe ndëshkimin e krimit.

Këto ishin të dhënat e raportit në vija të trasha, ndërsa të dhënat e detalizuara statistikore mund t’i gjeni në raportin e punës të cilin mund ta merrni pas përfundimit të konferencës.

KLIKO KËTU PËR TA PARË RAPORTIN E PLOTË. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme