Kandidati për president të Francës, Emmanuel Macron, tha se Bashkimi Evropian duhet të reformohet ose do të përballet me mundësinë e largimit të Francës.
Macron, kandidat i qendrës, do të përballet në balotazhin e 7 majit me kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Le Pen ka arritur sukses me retorikën anti-BE dhe ka premtuar se do të mbajë referendum për anëtarësinë e Francës në bllok.
Duke folur për BBC-në, Macron tha se “është pro-evropian” dhe se mbron idenë evropiane, duke besuar se “është jashtëzakonisht e rëndësishme për popullin francez dhe vendin e tij në globalizim”.
“Por, në të njëjtën kohë, duhet të përballemi me situatën, t’i dëgjojmë njerëzit, të dëgjojmë faktin se ata janë shumë të zemëruar që BE nuk është më e qëndrueshme”, tha Macron, raporton Rel.
Tash për tash, Macron udhëheq në sondazhe.