Macron: Do t’i luftoj ndarjet që sfidojnë Francën

 

Presidenti i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do të shërbejë me përulësi, me forcë dhe duke u qëndruar besnik parimeve të Republikës për “liri, barazi dhe vëllazëri”.

Macron mundi të dielën, në rrethin e dytë të zgjedhjeve, rivalen nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen.

Me të gjitha votat e numëruara, kandidati i qendrës fitoi 66.06% të tyre, ndërsa Le Pen 33.94%.

Macron, 39 vjeç, presidenti më i ri i Francës, u zotua se do të forcojë marrëdhëniet e vendit të tij me Evropën.

Ai iu adresua mijëra mbështetësve para Muzeut Louvre në Paris, duke dalë në skenë me himnin e Bashkimit Evropian.

“Do të bëj gjithçka që mundem gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, në mënyrë që askush të mos ketë më arsye për të votuar për ekstremet”, tha Macron, duke iu referuar atyre që kanë votuar Le Penin.

“Nuk do të dorëzohemi para frikës dhe ndarjeve. Do t’i luftoj ndarjet që sfidojnë Francën”, tha ai.

Mbështetësit e Macronit festojnë fitoren e tij.

Mbështetësit e Macronit festojnë fitoren e tij.

Macron tha se është e rëndësishme të ndërtojë edhe shumicën parlamentare, për të kryer ndryshimet shumë të nevojshme për Francën.

“Detyra jonë është e madhe. Do të na kërkojë të ndërtojmë, prej nesër e tutje, një shumicë të vërtetë, një shumicë të fuqishme”, tha Macron, i cili duhet të përqendrohet në sigurimin e shumicës në Dhomën e Ulët të Parlamentit, në zgjedhjet e qershorit.

Dy sondazhe të opinionit, të publikuara pas fitores së tij, treguan se lëvizja e tij “Përpara” do të dala e para në zgjedhjet për legjislativin, të cilat do të mbahen më 11 dhe 18 qershor.

Macron është liberal, pro biznesit dhe mbështetës i fuqishëm i Bashkimit Evropian, ndërsa Marine Le Pen ishte kundër migracionit dhe donte që Franca të largohej nga BE-ja dhe të braktiste monedhën euro.

Euro u rrit në vlerë pas fitores së bindshme të Macronit, duke arritur në 1.1023 dollarë në tregtinë në Azi, që është vlera më e lartë në gjashtë muaj.

Tregjet në Tokio dhe në SHBA u rritën po ashtu, ndërsa shumica në Evropë të hënën janë të mbyllura për shkak të një feste më 8 maj.

“I lumtur që Franca ka zgjedhur të ardhmen evropiane”, shkroi në Twitter presidenti i Komisionit Evropian,Jean-Claude Juncker.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se fitorja e Macronit është “fitore për një Evropë të fuqishme dhe të bashkuar”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, uroi po ashtu presidentin e zgjedhur të Francës për, siç tha, fitoren e madhe.

Macron pritet të bëjë betimin më 14 maj. Gushtin e kaluar, ai ka lënë Qeverinë socialiste të presidentit Francois Hollande, ku ka shërbyer si ministër, për të formuar lëvizjen e tij “Përpara”, për të cilën thotë se nuk është as e djathtë, as e majtë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme