Një shqiptar nga Mali i Zi është ekzekutuar me armë zjarri në Ekuador së bashku me bashkëshorten e tij.
Ngjarja ka ndodhur në datë 16 mars pranë qytetit të Guayaquil. Viktima është Fadil Kaçaniç 64-vjeç, ndërsa gruaja e tij ishte ekuadoriane 63-vjeçe (sipas medieve nga qyteti shqiptar bregdetar, ishte ulqinak – plotësim ynë).
Shqiptari u ekzekutua me tre plumba, ndërsa gruaja e tij me sende të fortë në kokë. Fadil Kaçaniç dyshohet se është vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Autorët, sipas dëshmive të bëra publike nga mediat ekuadoriane kanë qenë me dy makina me xhama të zinj, ndërsa ishin të veshur si policë. Pasi i vranë, autorët i grabitën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pranë një autostrade.
Autoritetet kanë nisur hetime për të kaluarën e shqiptarit. 64-vjeçari kishte bërë disa vite burg për shkak të përfshirjes në trafikun e drogës, ndërsa pak kohë më parë ishte liruar. Prokurori Viktor Gonzales deklaroi për mediat ekuadoriane se autorët janë regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Sipas policisë, kjo nuk është vrasje e zakonshme, pasi dyshohet për lidhje me krimin e organizuar. Kjo nuk është herë e parë që shqiptarët janë pre e atentateve dhe përplasjeve në Ekuador, pasi në 2016 Ilir Hidri u qëllua për vdekje po në Guayaquil, ndërsa Remzi Azemi është plagosur. Të gjitha rastet dyshohet për shkak të përfshirjes në trafikun e kokainës.