Enkel Demi
Jam në Itali dhe e shijova pa masë fitoren e Majlinda Kelmendit në Olimpiadë, sepse në finale ajo mundi pikërisht Odette Giuffrida. Mediat e këtushme nuk lanë pa përmendur që është medalja e parë për Kosovën e natyrisht është historike që ky shtet i porsa njohur nga Komiteti Olimpik të arrijë një sukses të këtillë.
Vetë Majlinda është sjellë si një profesioniste e vërtetë, por në të njëjtën kohë idealiste. Ndryshe nga shumë atletë shqiptarë, ajo ka preferuar të garojë për shtetin e saj. Natyrisht, nuk kemi pse paragjykojmë zgjedhjet e këtyre sportistëve të tjerë. Fjala vjen, Sahit Prizreni në një intervistë të para do kohëve, më rrëfente se stërvitej me gjysëm tapeti, meqë palestra ku punonte nuk kishte vend për ta shtrirë të gjithin, ndaj i priftë e mbara me Australinë.
Majlinda bëri të sajën. Nuk deshi ngjyrat e Gjermanisë dhe zgjodhi një nga shtetet tona, por i jati me shumë të drejtë ia dedikoi këtë triumf të gjithë shqiptarëve.
Në mediat e Kosovës, kampionia është në majë të Olimpit, në Shqipëri është parë më ftohtë dhe kjo mund të kuptohet. Çasti i ngritjes së flamurit të Kosovës, shoqëruar me atë himn pa gojë, nuk është se ngre peshë të gjithë shqiptarët.
Këtu ma merr mendja se ka për të patur vend për polemika dhe në të ardhmen për sporte të tjera jo individuale si futbolli a basketi. Pyetja është a do gëzojnë të gjithë shqiptarët me aq dëshirë dhe hare, kur të jetë Kosova që të shkojë në Europian dhe jo Shqipëria?
E vështirë do të jetë me atë flamur blu, me atë njollë të verdhë në mes dhe me ato yje, të cilat një politikan i mirënjohur i mori për shenjat e fjalëkalimit. A mund të çohen peshë tifozët kuq e zi, plisat dhe ballistët, kur të lëshohet ai himn pa fjalë, ku muzika i tërheq këmbët zvarrë? Një qind herë më mirë të ishte himn i Kosovës “Xhamadani vija-vija”.
Tani për tani nuk ka shumë zgjidhje. Mendoj se duhet të mësohemi që fitoret e kësaj natyre janë të të gjithëve, ani se ka dy shtete. Pra, me pak fjalë Majlinda në të ardhmen dhe kushdo tjetër duhet të ketë në tutë, bluzë edhe simbolet kombëtare, sepse kjo ideja e dy shteteve edhe mund të shtyhet, por e dy kombeve është krejt marri.
Ashtu si ndodh me Rita Orën, Dua Lipa (apo Bebe Rexha nesër), të cilat bëjnë koncert si në Prishtinë, si në Tiranë, edhe Majlinda Kelmendi duhet të pritet me madhështi edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë nga kryeqeveritarët, presidentët, autoritetet e Komiteteve Olimpike. Kështu mund t’i japim një farë kuptimi edhe atij himni memec që i ka ngrënë pula gërmat.