Mali i Zi kthen pas shqiptarët pa 200 euro garanci

Pala malazeze në doganën e Muriqanit vijon kthimet e qytetarëve që nuk kanë garanci në euro. Për personat e kthyer, kryesisht punëtorë sezonalë, mënyra e sjelljes së doganierëve të Malit të Zi ishte irrituese dhe aspak njerëzore. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të normalizuar situatën.

Nuk ka qenë një ditë si gjithë të tjerat kjo e premte për Martin Bërthamzën, i cili u bllokua nga policia kufitare e Malit të Zi, ndërsa po tentonte të kalonte drejt shtetit fqinj ku prej disa vitesh ka arritur të gjejë punë të ndryshme, kryesisht në mirëmbajtje.

Me biçikletën e tij ai nuk arriti të shkojë drejt vendit të punës, ku çdo ditë ka arritur të sigurojë 20 deri në 25 euro, me të cilat mban 8 pjesëtarët e familjes.

Por më shumë sesa kthimi, atë e ka irrituar sjellja e policisë së Malit të Zi, në momentin që i ka dorëzuar kartën e identitetit dhe i kanë kërkuar si garanci kalimi 200 euro.

Martin Bërthamza: Duan 200 euro në portofol, ne 200 euro si kemi tek shtëpia. Ku ti marrim. E ktheu dhe përplasi kartën e identitetit. Po të ishte amerikan nuk e përplas kartën, ja jep në dorë, urdhëro i thotë zotëri dhe e respekton. Më keq më vjen për kartën se jam shqiptar, është karta e Shqipërisë, është flamuri i Shqipërisë në të.Po kështu e kthyen dhe një tjetër. Kishte 100 euro jo 200 dhe e kthyen.

Pas publikimit të lajmit në media këtë të premte, vetëm dy shtetas janë kthyer pasi nuk kishin paratë e mjaftueshme në portofol, të tjerët të përgatitur nga kthimet e mëparshme nuk kanë hasur probleme.

Kjo kërkesë e re në doganën e përbashkët të Muriqanit vetëm në javën e fundit ka penalizuar rreth 100 shtetas shqiptarë qe kanë arritur të sigurojnë një punë për të mbajtur familjen, në shtetin kufitar të Malit të Zi.

Pritet që kjo çështje të ngrihet edhe në kuvendin malazez, pasi partitë shqiptare janë njohur me problemin në fjalë dhe kanë përgatitur propozimin që me ardhjen e sezonit turistik të hiqen kontrollet në pikat e përbashkëta kufitare Shqipëri-Mal i Zi, si dhe të shqyrtohet kjo çështje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme