Për profesorin universitar, Fadil Maloku, kreu i shtetit Hashim Thaçi po abuzon me postin e tij kushtetues. Maloku ka shkruar kësisoj, duke arsyetuar me faktin se “në kohën kur të gjitha partitë politike po kërkojnë zgjedhje, e madje pozitë e opozitë, po përgatiten për këtë fakt e këtë akt që dosido e matë ‘peshën specifike’ të secilit akter politik”.
“Presidenti Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare edhe zyrtarisht i drejtohet me një ‘fletërrufe’ koalicionit PAN që të propozojnë një kandidat të ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës!?”, thotë Maloku, teksa është ndalur në tri pika që i ka quajtur absurditet.
“Institucioni i Presidencës me kushtetutën aktuale kosovare është më shumë në rolin e një ‘kryeplaku’ që ekzekuton konsensuset potenciale partiake (para)post elektorale, se sa të një ‘prokurori’ që kurorëzon që në rastin e koalicionit PAN, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, lëre që s’i ka mbetur më asnjë shpresë e koalicionimit të mëtejmë, por s’i ka mbetur as edhe një dromcë e ‘bashkëjetesës’ së mëtejme as sociale e lëre më politike”, ka thënë Maloku.
Tutje ai ka thënë “se shihet qartësisht dhe pa ekuivoke, që i njëjti me “fletërrufenë” e lëshuar ka për qëllim vetëm blerjen e kohës (por, tashmë jo për gjithë “lokomotivën elektorale të PAN-it” për PDK-n, e cila pas tri mandateve nën udhëheqjen e Kosovës është shpenzuar e lodhur aq shumë sa që lirshëm mund të kualifikohet edhe si krizë elektorale”.
“Kjo i bie që presidenti me eufemizëm na del si një “avokat” tejet i dobët, që më shumë do e dëmtojë se sa ndihmojë, këtë subjekt politik në zgjedhjet në horizont”, ka thënë ai.
“Presidenti Thaçi, gjithashtu me këtë “fletërrufe”, padyshim të vonuar dhe të dëmshme për PDK-në, duke dëshmuar lojalitet dhe aspak racionalitet politik, shkel me të ”katër këmbët” Marrëveshjen Koalicionale të PAN-it për vazhdimin e mëtejmë të qeverisjes politike me vendin. Sepse dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, ishte përveç befasisë së hidhur (sidomos për presidentin dhe shefat e subjekteve tjera, mbi të cilat zakonisht PDK-ja diktonte si kohën ashtu momentin e rrëzimeve të qeverive), ishte edhe një “diktat” tjetërfare për ta diskredituar e kompromituar sa më shumë në sytë e publikut, “boss-in” e dredhive dhe manipulimeve të gjitha prapaskenave makiaveliste, të pasluftës…!”, ka thënë Maloku.