Objektet hotelierike për natën e Vitit të Ri mbetën të zbrazëta. Në vend të festimeve dhe ahengjeve për Vitin e Ri pas orës 18, restorantet dhe kafenetë, me çelës në derë. Diçka e këtillë po ndodh për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, thanë nga Oda e Pavarur e Hotelierëve.
“Fatkeqësisht, sivjet për herë të parë jo vetëm te ne, por edhe në nivel global, shumë objekte hotelierike përfunduan të zbrazëta dhe të mbyllura. Të gjitha solemnitetet dhe festat që u organizuan, përfunduan në orën 18:00, pas çka objektet hotelierike mbetën të zbrazura. Shumica prej nesh nuk e kanë përjetuar këtë fiasko asnjëherë në jetë”, tha Josifovski.
Sipas hotelierëve periudha që vijon do të jetë edhe më e vështirë dhe një pjesë e lokaleve do të jenë të detyruar që të mbyllen. Ata janë të vetëdijshëm se pandemia me Covid e goditi jo vetëm sektorin turistik por edhe ekonominë në përgjithësi. Nga Oda e pavarur e hotelierëve i përshëndesin paralajmërimet e Qeverisë për pakon e pestë me masa kundër krizës dhe presin ftesë për takim me qëllim që të kontribuojnë në krijimin e masave të cilat, siç thonë, do të jenë të dedikuara për nevojat e tyre reale. Këto ditë edhe nga Konfederata e sindikatave të lira theksuan se do të insistojnë që paratë e pakos së pestë të ndahen në mënyrë më të drejtë punëtorëve dhe sektorëve më të goditur nga kriza.
“Ne si sindikata, sërish do të kërkojmë që të hollat që ishin dedikuar për të punësuarit të transferohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në llogarinë e të punësuarve. E shihni se ende ka kompani të papërgjegjshme, ku edhe përkundër faktit se i janë transferuar mjete, disa punëdhënës nuk e respektuan vendimin. Gjejnë mënyra të ndryshme që t’i mos paguajnë të punësuarit”, shtoi Ristevski.
Në shpresë se së shpejti do të thirren për bisedë në Qeveri, theksojnë se targeti i pakos së re ekonomike duhet të jetë pikërisht sektori hotelierik. Ky sektor pësoi humbje më të mëdha, si rezultat i orarit të kufizuar pune, thonë nga kjo konfederatë.
Ndryshe, vitin që e lamë pas do ta mbajmë mend si vit i cili përfundoi me rënie prej 70% të të ardhurave në sektorin e turizmit dhe hotelierisë. Orari i shkurtuar i detyroi të dorëzojnë edhe iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, prej ku ende po presin përgjigje.