Situata e krijuar me virusin korona ka rritur numrin e të papunëve gjithandej dhe për më shumë se një vit numri i të papunëve është rritur dukshëm. Personat që kanë humbur punën vijnë nga profile të ndryshëm, duke filluar nga muratorët dhe deri te doktor shkencash.
Në Maqedoni në bazë të statistikave të fundit nga Agjencia e Punësimit, numri i përgjithshëm i të papunëve është 135.605 persona. Ndërsa nga numri i përgjithshëm i të papunëve 25 prej tyre janë doktor shkence – nga këta 14 janë nga Shkupi, katër nga Tetova, tre nga Manastiri dhe nga një i papunë doktor shkence janë nga Kumanova, Kërçova, Velesi dhe Radovishi.
Ndërkohë sa i përket personave tjerë të pa punë afër 737 persona janë me master të cilët nuk kanë marrëdhënie pune, prej të cilave 446 janë gra. Ndërkohë 9.803 të papunë kanë arsim të lartë, nga të cilët 6.295 janë gra. Qyteti me më shumë të papunë me arsim të lartë e mbanë Shkupi me 2108, pasuar nga Tetova me 1346, Kumanova me 795 Prilepi me 714 dhe qytetet tjera me më pak. Ndërkohë nga të papunësuarit 34.214 janë me arsim të mesëm. Këta shifra të të papunësuarve me titull doktor shkence shpjegojnë se vendi ynë ka koeficient shumë të ulët të efikasitetit të sistemit arsimor. Pra të rinjtë presin një kohë të gjatë në listën e qytetarëve të papunë edhe pse janë me arsim të lartë, magjistraturë apo doktor shkence.
Të rinjtë të cilët kanë kryer doktoraturën thonë se është e vështirë të besohet se investimi i bërë në shkencë mund të kthehet me punë. Megjithatë ata duan të besojnë se një gjë e tillë mund të realizohet. Ndërkohë hulumtimet e organizatave ndërkombëtare por edhe atyre vendore, tregojnë se pjesa më e madhe e të rinjve mes punës në sektorin publik dhe atë privat, preferojnë punën në sektorin publik.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), afërsisht 7.500 persona mbarojnë në studimet deri-diplomike. Më shumë të diplomuar dalin nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup me rreth 3200 të diplomuar, nga Universiteti i Tetovës 1174, në universitetin “Goce Delçev” në Shtip 949 dhe të tjerët nga universitete tjera private apo publike të vendit. Por, sipas të rinjve të diplomuar, autoritetet e vendit nuk kanë aftësi ta menaxhojnë situatën e të diplomuarve të rinj me tregun e punës. Sipas tyre, autoritet arsimore duhet të reformojnë procesin mësimor dhe ta përshtatin atë me tregun e punës, sepse vendi ynë ka nevojë dhe mundësi për të gjithë.
Ndryshe, sa i përket shpërndarjes së të papunëve sipas moshës, të dhënat e Agjencisë së Punësimit tregojnë se shumica e të papunëve janë të moshës 55 deri në 59 vjeç, përkatësisht 19.641 persona. Ato ndiqen nga ata të moshës 60 vjeç e lart (16.802), të moshës 50 deri në 54 (15.958), ata të moshës 45 deri në 49 (15.701), ata të moshës 40 deri në 44 vjeç (13,728) dhe ata të moshës 30 deri në 34 vjeç (13.300) , 25 deri në 29 vjeç (13.286), 20 deri në 24 vjeç (12.661), 35 deri në 39 vjeç (12.555) dhe më pak të papunët janë, logjikisht, të moshës 15 deri në 19 vjeç (2603 persona). (koha.mk)