Prokuroria ende është duke hetuar përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të lartë të MPB-së në skandalin për shtypjen e pasaportave të rreme për kriminelët. Policia vepron me urdhër të prokurorit dhe përcakton se cilët drejtues të departamenteve kanë qenë të ngarkuar për mbikëqyrjen e lëshimit të dokumenteve, përfshirë edhe pasaportat kontestuese.
“Duhet të përcaktohet cilët punonjës të Ministrisë së Brendshme, përveç tani të akuzuarve, kanë qasje në të dhënat personale (emrat, numrat amëz dhe adresat) të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk kanë marrë pasaporta.”
Por ky urdhër për të hetuar kontrollin hierarkik që mund të ketë dështuar u bë para më shumë se tre muajsh. Për aq kohë policia kontrollon nëse punonjës të MPB-së kanë mbyllur sytë para lëshimit të paligjshëm të pasaportave. Gjithashtu Ministria e Brendshme duhet ta informojë prokurorinë kur këto pasaporta janë përdorur në vendkalimet kufitare vendore dhe të huaja.
“Në koordinim me Interpolin, është dërguar shkresë për ndalimin e personave që eventualisht do të paraqiteshin si përdorues të pasaportave të tilla, ndërsa po merren aktivitete për të gjetur personat që tashmë i kanë përdorur pasaportat e tilla.”
Prokuroria për lëshimin dhe përpunimin e pasaportave të rreme akuzoi 11 persona. Rasti u emërua “Sozia”. Gjykimi ka mbaruar. Tetë të akuzuar u deklaruan fajtorë, ndërsa tre u deklaruan të pafajshëm dhe u gjykuan në procedurë të rregullt. Sipas autoriteteve hetuese, janë lëshuar 214 pasaporta false – kryesisht për kriminelët e kërkuar me urdhër ndërkombëtarë. Janë shfrytëzuar Identitetet e qytetarëve të Maqedonisë të cilët kurrë nuk kishin aplikuar për dokument biometrik. Pasaportat janë përpunuar nga qershori 2017 deri në fund të vitit 2020 dhe sipas informacioneve të policisë, një pasaportë false kriminelët e kanë blerë edhe për 20 mijë euro. Për skandalin informoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, duke theksuar se në listën e kriminelëve që morën pasaporta ishte edhe turku, Sedat Peker, si dhe anëtarë të grupeve kriminale nga Mali i Zi./Alsat