Maqedoni: Qeveria gati të bjerë

Qeveria dhe shumica parlamentare janë buzë greminës. Ditëve të fundit deputetë dhe parti nga koalicioni “Mundemi” dalin të pavarur nga grupi parlamentar, ndërsa edhe qëndrimi i tyre i mëtejshëm në koalicionin qeverisës mbetet pezull. E, nga ana tjetër, partitë më të mëdha në Qeveri dhe drejtuesit e tyre po betonojnë si pozitat e liderëve ashtu edhe radhët brenda partisë.

LSDM ka thirrur kongresin për më 26 shkurt, ndërsa ndërkohë ka bërë azhurimin e anëtarësisë që do të ketë të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjet e drejtpërdrejta për zgjedhjen e liderit të partisë. Por, në këtë garë për të parin e LSDM-së, kryeministri aktual Zoran Zaev është kandidat i vetëm.

“Për shkak se nuk kishte paraqitje tjera, Komisioni Qendror Zgjedhor mori vendim për pranimin e kandidaturës së Zaevit dhe e vërtetoi si të vetme në listën për kryetar të LSDM-së”, thanë nga LSDM pas mbylljes së afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Në kongresin e radhës, të drejtë vote do të kenë 80 mijë anëtarë të cilët kanë ripërtërirë anëtarësinë në LSDM.

Nga ana tjetër, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim mblodhi kryesinë qendrore me arsyetimin zyrtar diskutimin për zhvillimet e fundit në ekzekutiv dhe brenda në parti. Por, tema e dytë, që lidhet edhe me përplasjet mes funksionarëve nga ekzekutivi dhe legjislativi duket që kanë qenë kryefjala e kësaj mbledhje, pasi raportet brenda partisë ishin edhe deklarata kryesore e kryetarit Ali Ahmeti. Si rrallë herë, Ahmeti doli vetë për të kumtuar opinionit se në BDI janë tejkaluar dallimet dhe se janë të bashkuar. Mungesën e takimeve të këtij niveli kryetari i BDI-së i arsyetoi me kushtet që ka krijuar pandemia me COVID-19.

“Qëllimi ka qenë që opinioni të shoh drejtpërsëdrejti që Bashkimi Demokratik për Integrim është dhe do të jetë unik edhe më mirë i organizuar. Janë biseduar të gjitha çështjet, opinioni është i interesuar sepse ka pasur informacione të ndryshme në mungesë të takimeve për shkak të pandemisë, por i siguroj të gjithë se çdo gjë është sqaruar në këtë mbledhje. BDI është mirë e organizuar, sepse të gjithë ne jemi unik. Janë tejkaluar të gjitha dallimet mes nesh”,deklaroi Ali Ahmeti.

Deklaratat e këtilla të Ahmetit vijnë pasi deputetët Izet Mexhiti dhe Arben Ziberi, kundërshtuan emërimin e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit në Qeveri. Pas seancës për zgjedhjen e Qeverisë, Mexhiti pati edhe disa paraqitje me kritika dhe tone negative ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi që në opinion dha pasqyrë për ndasi brenda radhëve të partisë./SHENJA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme