Nesër në Kuvend e Maqedonisë do të fillojë diskutimi në seancë plenare për rebalancin e buxhetit.
Nga Qeveria njoftojnë se nevoja për miratimin e rebalancit vjen falë ndryshimit të projeksionit për rritjen e BPV nga 4 për qind të parapara fillimisht në 2,3 për qind, për të cilën arsye është e domosdoshme të bëhet korrigjim i projeksioneve të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Në anën e të ardhurave, sipas pushtetit ky rebalanc është zhvillimor. Nga ana tjetër opozita rebalancin e ka vlerësuar si hap bixhozi, ndërsa për minusin në arkën shtetërore thonë se është e dyta nga madhësia që e ka pasur vendi. PDSh këtë rebalanc e ka vlerësuar se është antishqiptar, prandaj dhe kishte dorëzuar rreth 300 amendamente.
Ndërsa nga Lëvizja Besa kohë më parë kishin deklaruar se Maqedonia vitet e fundit po shkon drejt një kolapsi ekonomiko- social, që çdo ditë e më shumë po e ngulfat edhe më shumë qytetarin e Maqedonisë. Nga ky buxhet i paraparë për çdo sferë, shihet qartë një diskriminim i hapur ndaj komunave shqiptare, sidomos ndaj Komunës së Tetovës, ku – për fat të keq – edhe pushteti qendror edhe ai lokal janë nga e njëjta parti politikë, pra BDI. Edhe pse erdhën në pushtet me një mal premtime, si të pushtetit qendror edhe atij lokal, ata çalojnë krejt në pikëpamje të realizimit./Sakte.net