Diplomacia e Maqedonisë para një sfide të re – tensionet midis Moskës dhe Kievit nuk qetësohen, ndërsa përpjekjet për qetësimin e situatës po i kalojnë OSBE-së, shkruan Alsat.
Pikërisht me këtë organizatë nga viti i ardhshëm do të kryesojë Shkupi dhe për momentin në duart e Polonisë është përpjekja për të krijuar atmosferë për dialog.
“Gjithçka do të varet nga ajo se si do të zhvillohet ky konflikt i mundshëm. Të shpresojmë që gjatë këtij viti 2022 Polonia do ta ketë atë sfidë për të menaxhuar dhe ndërmjetësuar në një farë mënyre”, tha Milan Stefanovski – analist i sigurisë.
Stefanovski beson se shteti ka kapacitete institucionale për të kryesuar një organizatë si OSBE-ja, por në një konflikt si ai ruso-ukrainas, vetëm mund të na shërbejnë mësimet nga e kaluara.
“Do mundet, nga përvoja jonë e zgjidhjes së konflikteve, nëse ju kujtohet, këtu është Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Kumanovës dhe në përgjithësi në Ballkan kemi përvojë, të ndërmjetësojmë dhe të mund të promovojmë paqe”, u shpreh Stefanovski.
Sipas Stefanovskit, nëse konflikti merr intensitet të madh, do të kishte pasoja të tmerrshme për Bashkimin Evropian dhe botën, dhe pritjet e tij janë që ai të mbetet në këtë kornizë – luftës përmes presionit psikologjik.
Ndërkohë, sipas raporteve të Misionit special të OSBE-së në Ukrainë, vëzhguesit e tyre përballen me ndalesa në lëvizje, sidomos në rajonet Donjeck dhe Lluhansk. Ministri i jashtëm polak Zbignjev Rau së fundi theksoi se prioriteti i tyre në OSBE do të ishte përqendrimi te grupet e rrezikuara, të cilat ai tha se vuajnë më shumë gjatë konflikti të zgjatur.
Në takimin e fundit me ambasadorin rus Sergej Bazdnikin, ministri i jashtëm Bujar Osmani riafirmoi thirrjen për dialog të hapur në kuadër të Këshillit NATO-Rusi dhe në OSBE me qëllim të promovimit të sigurisë evropiane./ Alsat.mk