Pas përmbylljes së procesit të skriningut, Maqedonia e Veriut deri në fund të këtij muaji duhet t’i dorëzojë BE-së dokumentet kyçe për negociatat për klasterin e parë. Por procesi nuk mund të ecë para pa miratimin e ndryshimeve për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq thotë se ndryshimet kushtetuese janë kushti për vazhdimin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Do ta përmbyllim fazën e parë, pjesën e parë hyrëse të negociatave dhe do të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë pa ndryshimet kushtetuese. Pas kësaj mbeten vetëm ndryshimet kushtetuese, si kushti i vetëm për hapjen e klasterit të parë dhe për vazhdimin e negociatave”, deklaroi Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.
Ndërkohë ministri i Jashtëm Bujar Osmani thotë se me qëllim që Maqedonia e Veriut të mos mbetet e izoluar ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm.
“Kjo tash është mundësia ideale e jona për t’u futur në një rrugë pa kthim prej Bashkimit Evropian dhe kemi një grup nacionalistësh, të cilët mbajnë peng një popull, i cili aq shumë ka sakrifikuar dhe ka bërë për Bashkimin Evropian. Nuk mendoj se duhet ta lëmë aq lehtë këtë rezistencë të tyre por të luftojmë deri në sekondën e fundit për t’i bërë ndryshimet kushtetuese. Se VMRO-ja mund t’i përkrahë pas zgjedhjeve, por mund të jetë vonë. Prandaj tash nuk duhet të heqim dorë nga ndryshimet kushtetuese”, theksoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Edhe përkundër pohimeve të tilla të ministrit Osmani, VMRO-DPMNE-ja e ka bërë të qartë se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese, me siç thotë diktat bullgar. Në momentin kur Maqedonia e Veriut të miratojë ndryshimet kushtetuese, me automatizëm do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në. / Alsat.mk