Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka vazhduar me gjuhë të ashpër ndaj shtetit kosovar, tani duke paralajmëruar se policët, gjyqtarët e prokurorët do të largohen nga institucionet.
Krejt ky reagim i Gjuriq vjen pasi Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi ish-ministrin serb të Kosovës, Ivan Teodosijevic, me dy vjet burgim pas deklaratave që u konsideruan të jashtëligjshme, shkruan Reporteri.net.
“Në rast se vërtetohet dënimi prej dy vjetësh i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, institucionet e Kosovës do t’i lëshojnë edhe policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë”, ka thënë Gjuriq.
Sidoqoftë, emri i Gjuriq ishte përfshirë edhe në debatin për çka është dënuar ish-ministri Teodosijevic, pasi edhe i pari i quajti si mashtrim masakrat e kryera në Kosovë. Pas tyre, edhe presidenti Aleksandar Vuçiq e ngriti zërin, duke thënë se “masakra e Reçakut është trillim i Walker”.
Ndërkohë, lidhur me këto deklarata erdhën reagime nga organizata të ndryshme. YIHR në Kosovë dhe Serbi dënuan gjuhën e presidentit serb, duke e cilësuar si nxitje urrejtje. Edhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin reagoi ndaj mohimit të masakrave në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për shtrembërimin e ngjarjeve të dhimbshme.
“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson se është e nevojë e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike ose etnike. Tanin rikujton rëndësinë e të drejtës për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe thekson se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve që të kenë një diskurs që mbron besimin e ndërsjellë dhe respektin”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga misioni i UNMIK-ut.
Ndryshe, punonjësit serbë në institucionet e Kosovës edhe më herët janë bërë peng i Beogradit, duke u detyruar të largohen nga punët e tyre për të qëndruar në vijë me agjendën e Beogradit.