Një anije me 15 emigrantë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Itali, ka mbërritur pasditen e së enjtes në Portin e Shëngjinit. Mjeti lundrues i rojes bregdetare italiane është ankoruar rreth orës 18:00, ndërsa pas procedurave përkatëse në qendrën pritëse, emigrantët pritet të transferohen në kampin e posaçëm në Gjadër.
Gazetari Elidon Ndreka raporton se ky është grupi i katërt i emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes dypalëshe mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, të bazuar në dekretin e ri të qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.
Marrëveshja parashikon që emigrantët e ndaluar në det ndërsa tentojnë të hyjnë ilegalisht në Itali dhe që nuk përfitojnë azil, të dërgohen në Shqipëri për të qëndruar në qendrat e posaçme deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme ligjore.