Çfarëdo veprimi pengues të Serbisë Kosova do t’i kundërpërgjigjet me kundërmasa shtesë. Derisa Qeveria nuk ka përjashtuar zgjerimin e masave, përveç 100 për qindëshit, shteti serb ka ndërmarrë një fushatë për të ndaluar themelimin e Ushtrisë dhe rritjen e presionit mbi Prishtinën për heqjen e taksës.
Këto veprime janë shoqëruar me dramatizim të situatës, duke e prezantuar situatën në veri si “katastrofë humanitare”. Kundërshtimi i BE-së dhe NATO-s, që të ndodhë transformimi i FSK-së në Ushtri ka trimëruar Serbinë për të ndikuar në stopimin e këtij procesi. Por institucionet janë të vendosura që taksa të mbetet dhe miratimi i pakos së ligjeve të bëhet të premten, lëvizje kjo që ka gjetur mbështetje tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi për të ndaluar hyrjen e automjeteve me targa të Serbisë dhe reciprocitet me dokumentet, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve – janë masat e diskutuara nga zyrtarët qeveritarë. I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të hënën se, nuk guxon të flasë. “Për sot nuk guxoj të flas. Nesër (e martë) e kemi mbledhjen e Qeverisë dhe për këtë e tema të tjera mund të flas”, ka deklaruar kryeministri.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, i ka thënë gazetës se nuk është në rend dite ndonjë masë shtesë për Serbinë. Sa u përket rrethanave në të cilat mund të ndodhë kjo, Gashi u është referuar deklaratave të kryeministrit i cili ka thënë se, “munden me ndërmarrë masa të tjera, nëse Serbia bën veprime penguese për Kosovën”… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)