Masa sigurie të jashtëzakonshme, RENEA, FNSH dhe SHISH zbarkojnë në stadiumin ‘Air Albania’ për ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë

Ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Air Albania”, do të shoqërohet me masa sigurie të jashtëzakonshme. Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 2000 efektivë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një ndeshje futbolli në vend.


Për garantimin e rendit dhe sigurisë do të jenë në gatishmëri forcat RENEA, FNSH, strukturat e Antiterrorit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), të cilët do të bashkëpunojnë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare.

Masa të veçanta janë parashikuar për sigurinë e përfaqësueses serbe, që nga momenti i mbërritjes në Rinas e deri në largimin pas përfundimit të takimit. Ekipi do të shoqërohet në çdo hap nga një eskortë e posaçme dhe do të mbrohet nga forca të shumta sigurie.

Njësitë e Antiterrorit do të kenë rol kyç në këtë operacion, duke kontrolluar perimetrin e stadiumit, monitoruar pikat kufitare dhe evidentuar çdo kërcënim të mundshëm. Që prej një jave, në pikat e kalimit kufitar janë shpërndarë lista me persona me prirje ekstremiste, të cilët nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.

Në stadiumin “Air Albania” janë instaluar sisteme sigurie të avancuara, përfshirë:

  • Kamera me teknologji “face recognition” (njohje fytyre);
  • Kamera të lëvizshme për monitorim në kohë reale;
  • Pajisje anti-drone dhe pushkë speciale për neutralizimin e çdo droni të dyshimtë.

Gjithashtu, të gjitha rrugët që çojnë në stadium do të jenë të bllokuara, ndërsa qarkullimi përreth zonës do të kufizohet rreptësisht. Policia ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e biletave dhe dokumenteve të identifikimit për çdo tifoz.

Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, Shërbimet e Sigurisë dhe partnerët ndërkombëtarë, janë marrë masa për monitorim të plotë tokësor dhe ajror, me qëllim garantimin e një atmosfere të sigurt gjatë zhvillimit të kësaj sfide të ndjeshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme