Ministria e Arsimi, Shkencës, dhe Teknologjisë garanton se asnjë student nuk do të këtë problem me njohjen e diplomës së tij në nivel ndërkombëtar apo pranim për regjistrim në universitetet evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siç janë trajtuar deri më tash, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Tendenca për të thënë se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në Evropë, janë manipulime të ulëta, dashakeqe dhe dëmtojnë imazhin e universiteteve dhe diplomave tona”, thotë MASHT-i.
MASHT-i thotë se do të angazhohet fuqishëm që edhe programet e reja të cilat do të akreditohen, të garantojnë cilësi dhe do të kenë të njëjtën rëndësi dhe vlefshmëri, transmeton Koha.net.
Ky reagim i MASHT-it vjen pas përjashtimit të Kosovës nga EQAR-i.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk janë pjesë e EQAR-it dhe studentët e tyre nuk e kanë asnjë problem me njohje të diplomave. Ky është edhe një fakt i fuqishëm që demanton manipulimet se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në EU. Por në asnjë mënyrë ky fakt nuk përmendet për të relativizuar apo zvogëluar rëndësinë që ka EQAR për njohjen e vlefshmërisë së diplomave tona”, thuhet në komunikatë.
Njëkohësisht MASHT-i thotë se mbetet e përkushtuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim të kthehet në EQAR brenda afatit të ankimimit prej 90 ditësh.