MASHTI paralajmëron testimin e mësimdhënësve për pagë më të lartë

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë të enjten se nga qershori i vitit të ardhshëm mësimdhënësit që synojnë pagë më të lartë do të mund t’i nënshtrohen një testi me shkrim. Ajo ka bërë të ditur se ky testim është vullnetar dhe se do të përkrahet nga mësimdhënësit që janë të përgatitur

Qershorin e vitit të ardhshëm Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) synon që ta nisë testimin e mësimdhënësve për pajisje me licencë të avancuar, e cila parasheh pagë më të lartë për ata që e kalojnë me sukses provimin me shkrim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) pati kundërshtuar çdo lloj testimi me shkrim për mësimdhënësit. Por ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shprehur qëndrimin se mësimdhënësit e përgatitur nuk janë kundër provimit kualifikues, i cili do të jetë në baza vullnetare.

“Besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër. Jam e bindur që në shumë shkolla ka mësimdhënës të cilët jo vetëm që janë të motivuar, por që do të jenë të suksesshëm në këtë vlerësim që do të bëhet dhe do të arrijnë që të avancohen në karrierë, por nuk mendoj që është gjë e mirë as për SBASHK-un që të dalë në mbështetje të atyre të cilët mund të kenë kundërshtime”, ka thënë Nagavci të enjten, në konferencën përmbyllëse të vitit.

Udhëzimi i ri Administrativ për sistemin e licencimit dhe karrierës së mësimdhënësve, i cili parasheh edhe testimin, ka hyrë në fuqi në qershorin e sivjetmë, porse ende nuk ka filluar që të zbatohet.

Sipas Udhëzimit, stafi shkollor ka tri lloje të licencimit – të karrierës, të avancimit dhe të përhershëm. Për licencën e avancimit, mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një provimi kualifikues, nëpërmjet të cilit do të vlerësohen njohuritë e tyre lidhur me lëndën, si dhe aspektin pedagogjik dhe didaktik të punës.

“Të gjithë mësimdhënësit me licencë të karrierës, të cilët kanë së paku 7 vite përvojë pune, duke përfshirë edhe fazën hyrëse, kanë të drejtë të aplikojnë për licencë të avancuar”, shkruhet në udhëzim.

Të gjithë mësimdhënësit që tregojnë performancë të mirë dhe pajisjen me licencë të avancuar, pas shtatë vjetëve mund të aplikojnë për licencë të përhershme. Në Udhëzimin Administrativ është përfshirë edhe Provimi Shtetëror, të cilit do t’i nënshtrohen studentët që planifikojnë të ushtrojnë detyrën e mësimdhënësit.

“Provimit Shtetëror i nënshtrohen të gjithë të diplomuarit të cilët synojnë ushtrimin e profesionit të mësimdhënies për herë të parë, duke përjashtuar angazhimet afatshkurta në formë të zëvendësimeve”, shkruan në Udhëzim. Aty thuhet, po ashtu, se edhe kandidatët që kanë diplomuar para këtij viti, por që nuk janë të punësuar, duhet t’i nënshtrohen provimit shtetëror për profesionin e mësimdhënies, sapo Ministria ta publikoëj thirrjen për provim.

E pyetur gjatë konferencës lidhur me thirrjet për dorëheqjen e saj pas rezultateve të testit PISA, ministrja Nagavci ka thënë se tërheqjen nga detyra nuk e sheh si zgjidhje.

“Dorëheqja do të ishte puna më e lehtë, por angazhimi maksimal bashkë me të tjerët për t’i përmirësuar rezultatet të cilat kemi qenë të vetëdijshëm është më shumë sesa do të ishte e lehtë dorëheqja”, ka thënë ajo. “Të gjithë ata që punojnë në arsim, të gjithë ata që e njohin sado pak sistemin e arsimit, e dinë që rezultatet e tilla nuk mund të përmirësohen për dhjetë muaj pa ndryshimet paraprake të cilat ne veçse i kemi ndërmarrë”.

Në përgjigjen për pyetjen lidhur me mospërmbushjen e premtimeve të dhëna për ndërtimin e 160 çerdheve dhe për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, të psikologëve dhe të këshilltarëve të karrierës, Nagavci e ka bartur fajin te drejtoritë komunale të arsimit (DKA). Gjatë mandatit të saj si ministre e Arsimit janë funksionalizuar katër institucione të reja parashkollore.

“Kemi dëshirë të ndërtojmë sa më shumë çerdhe, por ju e dini se këtu nevojitet edhe gatishmëria e komunave. Komunave u takon ta dërgojnë kërkesën në Ministri për ndërtimin e çerdheve dhe ne i miratojmë”, ka thënë ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme