Mashtruan qytetarët për viza, përfituan mbi 1 milion euro, 10 vjet burgim për fajtorët

Ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, është dënuar me gjashtë vjet burgimim dhe 21 mijë euro gjobë, pasi është shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani.

I akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, është dënuar me katër vjet burgimim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Veprim Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj burgimim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Hoxha dhe Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Kurse, Veprim Rexhepi akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha, është shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMË X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj, i është konfiskuar një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Gjithashtu, ata janë obliguar që 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, t’i kompensojnë të dëmtuarit.

Ky ka qenë rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, nga neni 398, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme