Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit, Halil Matoshi, ka goditur Lidhjen Demokratike të Kosovës në një debat televiziv.
Ai ka thënë në Klan Kosova se në listën e LDK-së për deputetë ka njerëz të njohur për ekstremizëm fetar.
“Në listën tuaj – gjë që nuk ka tek lista e Aleancës, së paku tek 45 njerëzit e Aleancës – ka njerëz të cilët në këtë shoqëri kanë vlejtur si ekstremistë fetarë”, i ka thënë Matoshi, Bardhyl Metës nga LDK-ja.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Metës, i cili ka kërkuar nga Matoshi të identifikojë se “cili ekstremist është”.
“Nuk dua të përmend emra”, i është përgjigjur Matoshi.
“S’mund ta quash një listë që paska ekstremista, që i bie terrorista e ISIS, jepe emrin”, i ka thënë atij Meta.
Matoshi ka kërkuar ta korrigjojë veten. “A mund të them fanatik fetar?”, ka pyetur ai.
Meta e ka pyetur atë nëse e kishte fjalën për Labinotë Demi-Murtezin. “Nëse ke fjalën për Labinotën, mund të them që jam krenar që është në listë. Është njeri i mrekullueshëm”, është shprehur Meta.
“Nuk e përmenda”, i është përgjigjur Matoshi.