Maxhuni: Stërvitjet në veri nuk ishin ushtarake por sportive

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni po raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje te FSK-së rreth situatës në veri.

Deputeti Anton Quni, tha se në veri kanë qarkulluar lajme se po stërvitet një grup njerëzish me uniforma, armë e të tjera, gjë që ka krijuar një dozë paniku.

Quni ka kërkuar nga drejtori që ta sqarojë gjithë këtë situatë në veri të vendit.

Ndërsa drejtori i PK-së, Shpend Maxhuni, transmeton kp, tha se nga informacionet që kanë konstatoi se bëhet fjalë për një aeroklub që ka për qëllim promovimin e sportit, dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë stërvitje ushtarake.

Maxhuni tha se themeluesi i kësaj organizate e ka dokumentacionin e Republikës së Kosovës.

Kreu i PK-s tha se pajisjet që përdor kjo OJQ nuk janë armë zjarri dhe këto pajisje shfrytëzojnë sfera plastike si municion.

Maxhuni tha se veshjet nga ky grup janë blerë në Melodia PX dhe janë pronë individuale.

Sipas tij, pajisjet janë verifikuar nga forenzika dhe nuk janë armë edhe pse duken si të tilla.

Aktiviteti i kësaj organizate sipas Maxhunit është mbajtur në muajin gusht të vitit 2016.

Ai tha se fotot që janë publikuar në media nuk kanë qenë në territorin e Kosovës, por nga një aktivitet tjetër në Serbi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se urdhri për ndaljen e trenit propagandues serb e kanë dhënë krerët institucionalë të Kosovës.

Ndërsa urdhrin për të shkuar PK-ja në veri tha se e ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Kjo deklaratë e Maxhunit erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovë.