Gazetar: Bashkim Sulejmani
Përmes një forumi mbi mjedisin jetësor, Saubermacher, kompania që menaxhon me mbetjet e qytetit të Tetovës, ka shënuar një vjetorin e funksionimit. Drejtuesi i Saubermaher, Hans Roth, tha se fillimi ishte i vështirë, por tani pas një viti, situata sa i përket pastërtisë në Tetovë ka ndryshuar. Ai madje paralajmëroi se kjo kompani, nuk do merret vetëm me pastrimin e mbetjeve, por edhe me ngritjen e vetëdijes qytetare, duke filluar që nga shkollat dhe institucionet e tjera.
“Para një viti nga sheshi i Tetovës bashkë me kryetarin e komunës thamë se do jetë e vështirë dhe disa pyeteshin nëse do ia dalim, por unë thash që do ia dalim. Dhe ja tani pas një viti jemi këtu t`iu themi faleminderit të gjithëve. Atë që e filluam vitin e shkuar do e vazhdojmë edhe më tej por duke vazhduar me shkollat dhe parkun kombëtar që Tetova të jetë e pastër në gjitha fushat duke vazhduar me aktivitete edhe me shkollat dhe sipërfaqet tjera”, deklaroi Hans Roth. Saubermacher.
“Sot kemi një situatë kur Tetova është dukshëm më e pastër më e rregulluar edhe pse ende kemi probleme për të zgjidhur. Kjo tashmë ka të bëj me atë që një pjesë e qytetarëve ankohen për pagesën e faturave të cilat edhe pse e dimë se duhet paguar çdo shërbim që merret, por shkaku i përvojës në të shkuarën mendojnë se duhet vazhduar me mos pagesë të tillë, por besoj që edhe kjo pjesë e vogël e qytetarëve do të binden se nuk ka shërbim që nuk paguhet. Por tani nuk jemi në fazë ankesash por në fazë të zgjidhjes së problemit”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Në forum zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, falënderoi shtetin austriak, për partneritetin që jep në luftën kundër mbeturinave dhe ruajtjes së ambientit.
“Ky Forum është një mundësi e shkëlqyer për të këmbyer idetë për veprimet tona të përbashkëta në mbrojtje të natyrës dhe burimeve tona. Ajo që është ende më e rëndësishme në këtë forum është bashkëpunimi ndërkombëtar për dy vende mike, Austria dhe Maqedoni dhe kemi mundësi të mëdha për të mësuar nga njëri tjetri që të ndajmë njohuri e praktika të suksesshme në fushën e mjedisit jetësor”, u shpreh Izet Mexhiti. Ministër i Ekologjisë.
Për një vit funksionim, Saubermacher, në Tetovë ka arritur të punësojë mbi 100 persona, ndërsa për një pastërti më të mirë të qytetit, kjo kompani, ka siguruar qindra kontejnerë të rinj si dhe tetë kamionë për grumbullimin e mbeturinave. /Alsat.mk