Mbi 22 për qind kosovarëve jetojnë me më pak se 2 euro në ditë

Dita ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë e gjen sërish Kosovën në krye të listës së vendeve më të varfra në Ballkanin Perëndimor.

Sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2015, thuhet se 17.6 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri të plotë, derisa në varfëri ekstreme jetojnë 5.2 për qind e qytetarëve të Kosovës.

Rreth 17.6 për qind e popullatës, sipas statistikave jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.

Nëse bëhet një mbledhje e thjeshtë del se në Kosovë mbi 22 për qind e popullatës jeton në varfëri.

Këto të dhëna preliminare për varfërinë në Kosovë i ka kumtuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa.

Ai flet për trendet e varfërisë gjatë dy viteve të fundit, ku sipas tij, ka pasur përmirësim të mirëqenies apo standardit jetësor në Kosovë.

“Nëse krahasojmë të dhënat e varfërisë me vitin 2014 ku varfëria e përgjithshme ishte 21.1 për qind, varfëria e plotë në vitin 2015 ka pasur rënie -3.5 për qind. Derisa nëse krahasojmë rezultatet e varfërisë ekstreme të vitit 2015 me rezultatet e të dhënave të varfërisë të vitit 2014 kur varfëria ekstreme ishte 6.9 për qind, në vitin 2015 kemi zvogëlim të varfërisë ekstreme për 1.7 për qind”, sqaron Bellaqa.

Tutje, Bellaqa tregon se krahasuar me të dhënat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka nivelin më të lartë të varfërisë.

“Konsumi i varfërisë është i lidhur ngushtë me aktivitete ekonomike të ekonomisë familjare në veçanti statusi i punësimit dhe lloji i punësimit. Po ashtu, statusi i punësimit dhe të ardhurat janë ndikuar fuqishëm nga niveli i arsimimit”.

“Qytetarët me nivel sa më të lartë të arsimit kanë qenë më pak të prekur nga varfëria dhe janë më shumë të punësuar”, thotë Bellaqa, duke i referuar të dhënave preliminare, të cilat siç thotë ai, do të publikohen në javën e parë të muajit të ardhshëm.

Ndërkohë, autoritetet thonë se po bëjnë përpjeke maksimale për zbutjen e nivelit të varfërisë në vend.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nivelin e varfërisë e konsideron të lartë, por që kjo ministri siguron qytetarët se përmes projekteve të ndryshme do të ulë këtë nivel.

“Jemi duke bërë hapa pozitiv drejt zhdukjes së varfërisë në Kosovë edhe pse është pak e pamundur duke pasur parasysh që jemi një shtet i ri dhe jemi në tranzicion, por mendoj se ne si Ministri e Punës kemi bërë projekte të ndryshme që kemi paraparë që të zbusim varfërisë”, tregon Hajzeraj.

Në listën e asistencës sociale figurojnë mbi 25 mijë familje, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve. Kjo shumë konsiderohet se nuk i përmbush nevojat e familjes.

Zëvendësministrja Hajzeraj tregon se një pjesë e madhe e këtyre personave që kanë qenë në skemat sociale janë punësuar tani më përmes projekteve që kanë të bëjnë me subvencionim në pagë dhe për zhvillim të një biznesi të ri.

“Numri i personave që kanë përfituar nga skema sociale është zvogëluar në dy vitet e fundit dhe kjo është një rezultat që kjo pjesë e shoqërisë që konsiderohet si varfri e skajshme apo varfri ekstreme tani më po zhvillohet po merr pjesë në programet që i ka bërë Ministria”, thotë Hajzeraj.

Në vitin 2008, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

Zotimet e dhëna nga autoritetet e Kosovës, megjithatë nuk ishin përmbushur.

Ekspertë të fushës së ekonomisë në vazhdimësi kanë sugjeruara autoritetet e Kosovës që për të zbutur nivelin e varfërisë në Kosovë, zhvillimi ekonomik i vendit duhet të orientohen në drejtim të fuqizimit të sektorit të prodhimtarisë dhe sektorët që rrisin punësimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme