Mbi 50 mijë persona largohen nga Guta Lindore dhe Afrin

Në Siri është regjistruar eksod masiv në dy zona të ndryshme, ku po zhvillohen ofensiva ushtarake. 30 mijë persona janë larguar nga qyteti Afrin, ku gjendet ushtria turke, ndërsa në Gutën Lindore numërohen mbi 25 mijë të zhvendosur.

Më shumë se 50 mijë persona janë arratisur nga dy ofensiva të ndryshme ushtarake kundër forcave rebele në Siri gjatë ditëve të fundit. Kjo është konfirmuar nga aktivistë të shumtë që operojnë në vendin e prekur nga konflikti disavjeçar. Rreth 30 mijë banorë janë larguar nga qyteti Afrin, ndërsa ushtria e Turqisë dhe aleatët e tyre rrethuan zonën. Shënjestra e tyre e vetme janë milicitë kurde, të cilat Ankaraja i akuzon si organizata terroriste. Të paktën 18 persona janë vrarë gjatë luftimeve në këtë ofensivë gjatë të premtes, thonë aktivistët dhe militantët.

Në Gutën Lindore, jashtë Damaskut, më shumë se 20 mijë banorë janë larguar nga zona që janë në shënjestër të forcave që mbështesin presidentin sirian Bashar Al-Assad. Eksodi masiv vjen 7 vite pas fillimit të luftës, nga e cila rreth 12 milionë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Të paktën 6 milionë janë zhvendosur brenda territorit sirian, ndërsa mbi 5 milionë të tjerë kanë udhëtuar për në shtete të tjera.

Më shumë se 400 mijë persona besohet se janë vrarë ose janë shpallur të zhdukur, që prej kryengritjes kundër presidentit Bashar Al-Assad, që nisi në Mars të 2011-ës. Aktualisht situata më e keqe humanitare është regjistruar në Gutën Lindore për shkak të bombardimeve ajrore. Mbi 1 mijë civilë janë vrarë muajin e fundit në këtë zonë dhe shumë spitale janë shkatërruar.

Një tjetër problem është dhe futja e automjeteve me ndihma humanitare në këtë zonë afër Damaskut, pasi ushtria pro-qeveritare vijon me sulmet ajrore. Bombardimet vijojnë pavarësisht armëpushimit të miratuar në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme