Mblidhen fonde për familjet e vëllezërve Bytyqi në SHBA

Për nder të 11 vjetori të pavarësisë së Kosovës në Nju Jork rreth 30 shoqata shqiptaro-akerikane mbledhën fonde për familjen e tre vëllezërve Bytyqi që u vranë nga forcat Serbe në vitin 1990, transmeton Gazeta Metro.


600 persona erdhën që të festonin pavarësinë në Westchester , Nju Jork duke grumbulluar fonde për një kauzë të veçantë: Çuarjen në vend të drejtësisë për vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë.

Janë mbushur 20 vjet që nga ajo kohë në Serbi nuk janë ngritur akuza ndaj askujt për vrasjen. Por Ilir Bytyçi, vëllai i Yllit, Mehmetit dhe Agronit, është optimist: ‘Duke patur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i bën presion Serbisë, jemi të sigurt se do ta arrijmë drejtësinë’.

Komuniteti shqiptar i Amerikës po e ndihmon familjen që drejtësia të vihet në vend.
‘Familja ka nevojë për fonde, sepse këto fonde do të shkojnë për avokatin, të cilit i duhen për udhëtime të ndryshme, për të shkuar në Evropë, në Uashington DC, në Departamentin e Shtetit dhe për nevoja të ndryshme’  thotë Valon Nikçi, një nga organizatorët.

Praveen Madhiraju është avokat i familjes Bytyçi. ‘Beogradi dhe prokurorët nuk kanë bërë asgjë për çështjen. Siç dihet, Presidenti Vuçiç ka bërë shumë premtime, madje edhe ka vënë gishtin te personat e dyshuar, por nuk ka bërë asgjë për këtë. Kjo e ka zemëruar komunitetin, familjen dhe Shtetet e Bashkuara dhe i ka nxitur të shtojnë trysninë për të bërë diçka tani’, thotë avokati.

Me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë dhe për të nderuar kujtimin e vëllezërve Bytyçi, në sallë kishte ardhur një grup policësh shqiptaro-amerikanë.

‘Kam ardhur për të festuar 11-vjetorin e pavarësisë. Jam shumë i gëzuar dhe krenar. E uroj Kosovën për një të ardhme më të ndritur’, thotë Muhamet Mjeshtri, pjesë e Departamentit të Policisë të qytetit të Nju Jorkut,/radioevropaelire

Hyrja e grupit të policëve shqiptaro-amerikanë u prit me solemnitet në sallë.

Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, ishte ndër organizatorët kryesorë të aktivitetit ai tha se :’Sonte ne nuk festojmë vetëm pavarësinë e Kosovës, por i qëndrojmë përkrah familjes Bytyçi. Nëse nuk ka drejtësi për tre djemtë e tyre, nëse nuk ka drejtësi për tre vëllezërit tanë, nuk do të ketë kurrë paqe’.

Më pas, në fjalimin që mbajti përpara komunitetit, zoti Gjonaj foli me tone të ashpra lidhur me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe bëri thirrje për bojkotimin e mallrave serbe.

Komentet e tij bëhen ndërkohë që zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara po e shtojnë trysninë ndaj qeverisë së Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind mbi mallrat serbe të importit.

Në mbrëmje ishin edhe prindërit e vëllezërve Bytyçi, Ahmet dhe Bahrije, të cilët u përshëndetën me duartrokitje nga të pranishëmit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme