Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh në lidhje me qasjen e mazhorancës ndaj drejtësisë dhe sfidave të mandatit të katërt, duke e përshkruar këtë fazë si një kapitull të ri dhe më të thelluar të përgjegjësisë politike.
Në takimin me deputetët pas fitores së 11 majit, kreu i qeverisë e përshkroi mandatin e katërt si një fazë të re për Partinë Socialiste, që tashmë, sipas tij, nuk mjafton më të jetë thjesht më e mirë se kundërshtarët, të cilët i quajti “mysybet”, por duhet të jetë më e mirë se vetja.
Rama: E para të udhëheqim me forcën e shembullit duke qenë sa më të drejtë ne në vendimet dhe qëndrimet tona dhe e dyta të jemi mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, duke filluar nga SPAK, që ne do ta mbështesim pa asnjë ekuivok. Pavarësia e drejtësisë dhe mbrojtja e saj me çdo kosto edhe mbi trupin tënd është e vetmja rrugë. Ne do të qëndrojmë të palëkundur në të vetmen rrugë.
Mandati i katërt na ka futur në një fazë të re të ekzistencës sonë si partia më e madhe e shqiptarëve, ku nuk mjafton më fare që të jemi më të mirë se të tjerët, aq më tepër që të tjerët janë mysybet. Tani duhet të jemi më të mirë se vetja që të nxjerrim më të mirën nga vetja dhe të kërkojmë më të mirën tek njëri tjetri.
Arsye për të nxjerrë nga tjetri më të keqen mund të gjesh përditë me çdo qenie njerëzore, sepse s’ka qenie njerëzore perfektë. Ndërsa të gjesh arsye për të nxjerrë të mirën nga tjetri është ca më e vështirë.
Ky është mandati i të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, edhe te atyre prindërve që më 11 maj u hodhën me kokë në kënetë.