Nga Kim Mehmeti
Shumë politikanë e përfaqësues tjerë të shqiptarëve me të drejtë mburren me kodin, me nderin, me mikpritjen dhe me BESËN e shqiptarisë, e që e bënë Shqipërinë të vetmin vend në Evropë ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, ngaqë familjet shqiptare, të besimeve të ndryshme, duke rrezikuar vetveten, mbrojtën popullin hebre gjatë asaj periudhe të errët.
Por kjo mburrje aspak nuk e mbulon turpin e atyre që nuk e kanë thënë dhe, që nuk guxojnë ta thonë, as një fjalë të vetme për ‘kampin’ më të madh të përqendrimit, të cilit do ia kishin zili edhe nazistët – Gazën, e ku Izraelitët vrasin gra, fëmijë…, ku një populli i mohohet e drejta për të jetuar.
Andaj mburrja për flijimet e shqiptarisë për t’i mbrojtur hebrenjtë e humb kuptimin kur vjen nga goja e qyqarëve që çdo gjë e matin me peshoren e interesit personal dhe të cilët, mospasja ndërgjegje, kod etik e BESË, i bënë të pandjeshëm ndaj masakrave izraelite mbi popullin palestinezë.
Dhe andaj pra thuhet se vrasësit e vërtet në këtë botë nuk janë vetëm ata që e shkrepin armën, por edhe ata që e ‘mbulojnë’ vrasësin. Andaj pra ferrin nuk e popullojnë vetëm vrasësit, por edhe ‘paqësorët’ që e heshtin dhe e mbulojnë krimin, edhe e ata që kanë harruar thënën e At Zef Pllumit se: ‘Kur njeriut i mungon zëmra, nuk është më njeri!’ (Kim Mehmeti)/sakte.net