MCC-ja dhe Kosova lansojnë programin për energjinë në vlerë prej 236 milionë dollarësh

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar zbatimin e programit kompakt, që është i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.

Programi, që sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është i vetmi në Evropë që ka MCC-ja, është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

“Ky program do të ndërtojë vende për ruajtjen e energjisë apo bateri për ruajtjen e energjisë. Ky sistem i ruajtjes do të ndihmojë në tranzicionin, do të mundësojë integrimin e energjisë së ripërtërishme dhe do të lejojë Kosovën që të menaxhojë më mirë fuqinë e shpenzimeve”, tha Hovenier në ceremoninë e lansimit të programit.

Kompaktet, tha ai, janë grante pesëvjeçare që lëshohen nga MCC-ja që plotësojnë kriteret për kualifikim për programe të tilla.

Ai tha se me këtë program pret që të transformohet sektori i energjisë në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është investimi më i madh i bërë në dekadat e fundit në sektorin energjetik të Kosovës.

“Ne ndajmë me MCC-në vlerat e saj thelbësore: një qasje e orientuar drejt rezultateve me transparencë, llogaridhënie dhe me pronësinë e vendit në qendër”, tha Kurti.

Ndërkaq, zëvendëspresindeti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve Kompakt, Cameron Alford, që ishte i pranishëm në ceremoninë e lansimit tha se kompakti do të shërbejë si “gurthemel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kompakti i MCC-së synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë për të krijuar brime të besueshme, të ripërtërishme të energjisë të cilat do të integrohen në rrjetin e Kosovës dhe duke reduktuar nevojën që energjia të prodhohet nga thëngjilli.

Ekzekutivi kosovar tha se deri në fund të vitit 2027, parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.

Më 2022, Kosova kishte arritur marrëveshje me MCC-në për programin kompakt. Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë. Përmes tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kosova prodhon shumicën e energjisë përmes djegies së thëngjillit. Sipas Strategjisë për Energjinë, që Kuvendi i Kosovës miratoi në marsin e vitit 2023, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme.

Strategjia, po ashtu, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme