MD ka kërkuar që procesi i rekrutimit të bëhet me projekt britanik

Ministria e Drejtësisë (MD) ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) shpalljen e konkursit për drejtor të Shërbimit Korrektues, siç përcaktohet me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi për emërimin në pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil.

Me qëllim të rekrutimit të një kandidati profesional dhe të pavarur, MD ka kërkuar që procesi i rekrutimit të bëhet me projektin britanik, sipas Memorandumit të bashkëpunimit të lidhur në mes të Kuvendit dhe Qeverise së Kosovës si dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe.

MAP ka themeluar Komisionin me ç ‘rast edhe Ministria e Drejtësisë ka caktuar përfaqësuesit në pajtim me nenin 215 (paragrafi 2) të Ligjit nr. 04/L -149 për Ekzekutim te Sanksioneve Penale, duke qenë edhe përfaqësuesit britanik pjesë e këtij procesi dhe EULEX-i në cilësinë e monitoruesit.

“ MD sot ka pranuar raportin nga projekti i angazhuar nga ambasada Britanike me rekomandimin se asnjëri nga kandidatët nuk i plotëson kriteret për emërim në këtë pozitë.  Bazuar në këtë raport, Ministrja e Drejtësisë pret që Komisioni të marrë parasysh rekomandimin e projektit britanik i cili konstaton se asnjë kandidat nuk i plotëson kriteret dhe konkursi do të duhej të rishpallej.

Rishpallja e konkursit për drejtor të ShKK-së, do të bëhet në pajtim me procedurat e rekrutimit, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante sipas ligjeve në fuqi.  Ministria e Drejtësisë siguron opinionin dhe mediat se procesi do të jetë transparent dhe çdo përpjekje për të ndërhyrë dhe dëmtuar kredibilitetin e procesit do të ndiqet sipas ligjit”, shkruhet në komunikatë./21Media