Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Gjenevë, Zvicër, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e vendit që 15 janari, kur bëhet një çerekshekulli nga gjenocidi serb në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme që të jetë e mundur.

Përmes një kërkese dërguar mediave, kjo qendër thotë se duke e përkujtuar këtë datë, dëshmohet përkujdesi i lartë shoqëror e shtetëror.

“Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për Gjenocidin Serb të kryer në Kosovë dhe shpalli 15 janarin Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më 15 janar 2024 bëhet një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit në Kosovë! I bëjmë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, Kryeministrit z. Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarëve të Partive Politike në Kosovë, Kryetarëve të Kuvendeve Komunale, shoqërisë civile, shoqatave e klubeve dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë, që të mobilizohen sa më shumë e sa më mirë, në mënyrë që ky çerekshekull i Gjenocidit në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme”, thotë kjo qendër.

“Gjenocidi në Kosovë” thotë se ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është obligim kombëtar, në mënyrë që të sensibilizohet bota demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve”, tha kjo qendër.

Qendra Gjenocidi në Kosovë do të organizojë një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë çerekshekulli në mënyrë sa më dinjitoze.

“Gjenocidi në Kosovë” ka ftuar institucionet e vendit që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, “të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme