Nga Kim Mehmeti
Popujt kanë të drejtë të gabojnë, por ata megjithatë, nuk maten nëpërmjet gabimeve që bëjnë por nëpërmjet asaj sa dine t’i korrigjojnë gabimet e bëra. Andaj edhe votuesit e sotëm shqiptarë, nuk do vlerësohen nëpërmjet asaj asa kanë gabuar në votimet e shkuara, por sa me 25 prill do i korrigjojnë gabime nga e kaluara.
Për dallim nga popujt, personalitet që përfaqësojnë popullin, nuk kanë të drejtë të gabojnë dhe ata duhet të përballen me fjalën publike që e thonë. Dhe nëse populli mund edhe të mbulohet me gabimet e individëve që atë e përfaqësojnë, personalitetet publike nuk i mbulon ‘çarçafi’ i endur nga gabimet e popullit.
Sidoqoftë duhet thënë qart e shqip: me 25 prill Shqipëria do duhet ta abortojë “Rilindjen” e Piktorit dhe të çlirohet nga kjo ‘shtatzëni’ e gabuar politike, e cila ia helmon dhe ia kalb trupin. Dhe me këtë ‘abortim’ Shqipëria do tregojë se e ka arritur pjekurinë që vetë të del nga udhët pa dalje.
Dhe me 25 prill Shqipëria nuk do e dëshmojë vetëm pjekurinë e saj politike, por edhe sa ajo i beson ‘fesë’ së rëndësishme të shqiptarisë – asaj të patriotizmit dhe të atdhedashurisë. Duke e dëshmuar këtë, votuesi i Shqipërisë do tregojë se e lexon drejtë kalendarin në të cilin jeton, e kur nuk janë të pamundura edhe rivizatimet e hartave të shteteve të kësaj pjese të Ballkanit, e për çka shqiptarët duhet të jenë të gatshëm të dëshmojnë se edhe kur jetojnë të ndarë në më shumë ‘shtëpi’, ata e dinë se cili është kopshti i tyre i përbashkët.
Po pra, me 25 prill Shqipëria duhet të dëshmojë se ajo mbanë llogari edhe për fatin mbarëshqiptarë, dhe shkaku i kësaj përgjegjësia ajo nuk mund të mbetet në duart e atyre që e faktorizojnë Beogradin duke e defaktorizuar shqiptarinë, në duart e atyre që e padisin kryeministrin e Kosovës, për ta joshur presidentin antishqiptarë të Serbisë.
Me 25 prill pra Shqipëria duhet ’i përgjigjet qartë Piktorit dhe ‘Rilindjes’ duke i ndëshkuar me mosvotim edhe atë jo pse janë antishqiptarë, por pse e kanë shpërlarë vetveten nga ndjenjat dhe përgjegjësia kombëtare si dhe jo pse vishen me brekushe, po pse ndjehen keq me veshjen shqiptare.
Me 25 prill Shqipëria duhet të tregojë se e ka kuptuar që është bërë shoqërie ku mund të bëhesh politikanë e burrështetas vetëm pse je gojështhurur dhe vetëm nëpërmjet batutave. Këtë do e dëshmojë duke e çrrënjosur bimën e keqe tredekadëshe, të quajtur ‘Rilindje’, e cila ka mbirë në arën politike të Shqipërisë, aty ku mund të bëhesh burrështetas vetëm pse ke shprehur dëshirën që i vetëm ta kesh në duar timonin e shtetit.
Po pra, me 25 prill votuesi shqiptarë nuk duhet të mbështetet vetëm në atë që ia ofron opozita e bashkuar, por edhe në ‘fenë’ më të rëndësishme për një popull: në atë të patriotizmit dhe të atdhedashurisë. ‘Fe’ pa të cilën nuk mund ta shpëtosh vendin nga ata që nuk rrënuan vetëm Teatrin Kombëtarë, por i zhbën thuajse të gjitha institucionet e shtetit. Nga ata që i defaktorizuan shqiptarët , dhe e forcuan Beogradin, edhe atë duke i shpërfaqur shqiptarët si një popull që nuk njehë e nuk ka nevojë për institucione shtetërore, popull që ende e jeton kohën e Esat Pashës, kur çdo bajraktar donte të kishte Shqipërinë dhe shqiptarët e vet.
Kim Mehmeti