Gazetare: Melihate Rustemi
Monumenti historik “Aquaduct” Shkup ishte vetëm një nga lokacionet ku u zhvillua aksioni “Pastrimi gjeneral i fundjavës”. Me doreza në duar dhe qese plastike, përfaqësuesit e politikës dhe punonjës të shumtë të institucioneve shtetërore dhe private mblodhën mbeturina të shumta duke lënë pas natyrën të marrë frymë lirshëm.
“Mjedisi, dhe veçanërisht monumente të tilla kulturore si Akuadukti, meritojnë respekt dhe kujdes. Veprime të tilla, në të cilat të gjithë së bashku tregojmë iniciativë, vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim, duhet të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme. Mbeturinat nuk kanë vend në rrugë apo në natyrë. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor po punon aktivisht për krijimin e një sistemi të menaxhimit të integruar dhe të qëndrueshëm të mbeturinave”, deklaroi Izet Mexhiti, ministër i Ekologjisë.
“Sinqerisht më vjen keq që një nga lokacionet më të rëndësishme në Shkup është në këtë gjendje. Shpresoj që vitin tjetër do ta vizitojmë me një pamje të re, ashti siç i ka hije dhe siç tha presidentja një park i ri”, tha Orce Gjeorgjievski, kryetar i BNJVL-së.
Ndërkohë presidentja tha se gjendja e kulturës dallohet nga oborret e institucioneve.
“Ne duhet ta mbrojmë natyrën sepse duke mbrojtur natyrën e mbrojmë vetveten. Unë propozoj që radhën tjetër të nisim nga oborri i Kuvendit, e keni parë se si duket oborri i Kuvendit? Shpesh herë e kam thënë se gjendja e kulturës dallohet nga rregullimi i oborrit para Ministrisë së Kulturës”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Vullnetarët vendas dhe të huaj thanë se nuk ka arsyetim përse qytetarët të mos i bashkohen nismave të tilla.
“Nuk ka më arsyetime, nuk është bukur të jetojmë në mbeturina. Do të bëhet më mirë nëse të gjithë i përveshim mëngët dhe kyçemi në aksion”, tha një vullnetare.
“Natyra është shumë e rëndësishme dhe ruajtja e saj është obligim dhe përgjegjësi e jona. Çdo hap dhe aksion i vogël nga ana jonë na drejton në diçka të madhe dhe ndryshimi fillon nga ne”, u shpreh një tjetër vullnetar. /Alsat.mk