Që të dy me të marrë mandatin kanë hequr fotografinë e presidentit të shtetit, Hashim Thaçi nga zyrat e tyre.
Tahiri i LDK-së dje u arsyetua se nuk e ka hequr fotografinë, por vetëm ia ka ndërruar imazhin.
Kurse te Haskuka u vërejt mungesa e fotografisë së Thaçit gjatë takimit që pati me Ilir Dedën dhe Mimoza Kusari-Lilën.
Por, me këtë veprim dy kryetarët e rinjt të komunave po e shkelin Ligjin për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Neni 20 i këtij ligji thotë se të gjitha institucionet e Kosovës, pa dallim ato lokale apo qendore, duhet ta vendosin foton e presidentit në përmasat 40-60 centimetra.
“Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 – 60 cm”, thotë ky ligj.
Veç ligjit, ekziston edhe një rregullore e cila ishte miratuar në vitin 2011 nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi e ku tregohet për mënyrën e vendosjes së fotografisë, dhe institucionet që obligohen ta bëjnë një gjë të tillë.
Në mesin e të gjitha institucioneve, në këtë rregullore specifikohet qartë se fotografia e presidentit duhet të vendoset edhe nga kryetarët e komunave.
Madje në këtë rregullore gjithashtu kërkohet që fotografia të vendoset në një vend të dukshëm dhe ballor.
“Fotografia duhet të ketë përmasat minimale 40-60 cm. Duhet të jetë e vendosur në kornizë. Fotografia në zyre duhet të vendoet në mur në vend të duksëhm/ballor”, thotë rregullorja.
Me vendosjen e fotografisë së presidentit kishte pasur telashe edhe pas zgjedhjes së Thaçit në këtë pozitë, ku disa kryetarë të komunave me shumicë serbe nuk pranonin të vendosin fotografinë.
E asnjëri nga kryetarët e këtyre komunave, pra as Haskuka dhe as Tahiri s’kanë dhënë ndonjë shpjegim pse po e heqin fotografinë nga zyret e komunës. /Lajmi.net/