Veseli kishte takuar shumë organizata dhe kompani për inovacion dhe teknologji informative, të cilëve u kishte premtuar trajtim, kushte dhe mbështetje të veçantë nga shteti.
Gjatë bashkëbisedimeve me të rinj dhe ekspertë, Veseli kishte premtuar mbështetje për ndërmarrësit e rinj.
Për t’i përmbushur këto dy zotime, me iniciativë të Veselit është krijuar Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe ka vendosur që PDK-ja të qeverisë me të, e cila pritet të mbështesë të rinjtë në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Një premtim tjetër parazgjedhor i kreut të PDK-së ishte se Ministria e Kulturës do të zhvendoset në qytetin e Prizrenit.
Përveç vendimit për ta zhvendosur Ministrinë e Kulturës në Prizren, ai edhe ministrin e këtij dikasteri qeveritar e ka emëruar të Komunës së Prizrenit, duke përmbushur kështu edhe njërin prej premtimeve të tij kryesore për qytetarët e Prizrenit.
Kryetari i PDK-së po ashtu në vazhdimësi ka shfaqur shqetësime edhe për gjendjen në shëndetësi dhe për mungesën e prioriteteve shtetërore për sistemin shëndetësor. Gjatë turit të dëgjimit me mjekë dhe personel shëndetësor, Veseli kishte premtuar vëmendje të posaçme dhe reforma rrënjësore në këtë sektor, i cili që nga paslufta nuk ishte prioritet i qeverive dhe PDK-ja asnjëherë nuk kishte ministër në krye të shëndetësisë.
Për të dëshmuar përkushtimin për sistemin shëndetësor, lideri i PDK-së e ka emëruar në pozitën e Ministrit të Shëndetësisë nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili, i cili ka magjistruar në Harvard të SHBA-së për administratë publike dhe më parë ka qenë shef i kabinetit të kryeparlamentarit Veseli. Ismaili me profesion është edhe psikolog. Mbetet të shihet përkushtimi i ministrave të PDK-së për përmbushjen e premtimeve elektorale të Veselit.