Personi në foto është autori i dyshuar i ekzekutimit me armë zjarri të Renato Hoxhajt, krim i ndodhur mëngjesin e 27 Prillit në Vlorë.
Vrasësi i dyshuar mban një maskë të zezë në fytyrë, kapele në kokë dhe dorashka të zeza.
Viktima është qëlluar me 2 plumba në kokë dhe dy në trup, ndërsa në vendngjarje u gjetën 4 gëzhoja pistolete 9 mm, ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet rreth orës 06:00 në rrugë pranë objektin të ndërtimit në lagjen “Hajro Çakërri”.
Bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar para hetuesve se nuk ka dijeni që 58-vjeçari të ketë pasur konflikte, ndërsa ka pohuar se ka dëgjuar të shtënat me armë, por ka menduar se ishin fishekzjarrë.
Për gjurmimin dhe identifikimin e autorit të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj policia ka sekuestruar kamera sigurie në zonë.
Vrasja për pronën?
Raportohet se viktima kishte shtëpinë në një vend shumë të lakmuar për ndërtime të reja.
Sipas burimeve pranë familjes së 58-vjeçarit, kohët e fundit ai ishte shfaqur i shqetësuar pasi kishte marrë kërcënime të ndryshme për të dhënë tokën për ndërtim, por s’kishte pranuar.
Kjo është një nga pistat ku është fokusuar policia për zbardhjen e krimit, që ende mbetet pa autor.
Raportohet se vetëm disa metra larg banesës së viktimës është ndërtuar një pallat disa katësh ku çmimet e apartamenteve janë të larta duke shkuar në rreth 1500 euro metri katror.
Policia ka marrë në pyetje disa persona, përfshirë pronarin e pallatit të ndërtuar pranë banesës të viktimës.