Me mbylljen e fabrikës së Jugohromit, fshati Jegunoc pothuajse është boshatisur! – Kërkohet rihapje e fabrikës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Dikur numëronte mbi 1200 banorë, ndërsa sot, mezi arrin 500. Fshati Jegunoc, para vetëm disa vitesh gjallëronte, ndërsa me mbylljen e fabrikës së vetme që siguronte ekzistencën për mijëra banorë të këtij fshati gjallëria u zbeh. Banorët kërkojnë nga Qeveria që sa më shpejtë të pastrohet Jugohromi nga mbetjet toksike dhe të vihen filtrat që të mund të nis me punë, ose përndryshe, thonë ata fshati siç ka nisur do të boshatiset në tërësi.

“Të rinjtë na ikin, na ikin të rinjtë shkaku i ekzistencës më të mirë. Për tu ngjall fshati duhet të ngjallet të ndihmojnë, por për të restartuar fabrikën ka probleme me kromin. Qeveria duhet të bëj diçka për këtë fshat nëse do, duhet diçka të bëhet të lëviz puna, jo të vrapojnë pas neve vetëm kur ju duhen vota. Tek fabrika që punonim u shkatërrua çdo gjë zor se hapet më ky kombinat. E që duhet të bëhet më mirë duhet. Ndotja ka pasur nga Jugohromi, pluhur të bardhë ndotje por ajo është punë që mund të zgjidhet”, tha një banor.

“Dobët është fshati, nuk ka ekonomi, Jugohromi u mbyll u dobësua çdo gjë. Duhet të hapet të gjallëroj rinia”, u shpreh një banor tjetër.

Qëndrim të njëjtë kanë edhe nga komuna e Jegunocit. Kreu i komunës madje premton  se edhe pse është komunë me buxhet të vogël, do bëj çmos që të ndihmojë në hapjen e Jugohromit por gjithsesi me vënie të filtrave dhe pastrim të mbetjeve toksike.

“Me mbylljen e Jugohromit, u prekën shumë ekonomikisht banorët e vendit. Kanë punuar këtu rreth 4000 banorë, dhe së fundmi 2500 të atillë ku bashkëqytetarët kanë gjet qetësi dhe punë në këtë fabrikë. Nga 2016 jo vetëm që komuna nuk ka lëvizje dhe qytetarë të komunës tonë, por shumë banorë tanët dhe të rrethit përfunduan tragjikisht shkaku se humbën vendet e punës dhe ishin të stresuar mbetën pa të ardhura. Në 2021 pati një nismë për pastrimin e materieve ndotjeve që kanë mbetur por asgjë deri më sot”, tha Dimitar Konstadinoski, kryetar i komunës së Jegunocit.

Por, çka ka mbetur pas mbylljes së Jugohromit që vazhdon ende të ndot jo vetëm ajrin, por edhe tokën dhe ujin. Iljas Iljazi, i cili dikur ishte edhe pjesë e Jugohromit thotë se aty ka materie toksike, të cilat, gjithsesi se duhet që sa më shpejtë të largohen.

“Reparti i kimisë ka mbetje të bikromatit. Toka e ka thithur dhe ka problem shumë aty dhe është në pjesën e kuqe të ndotjes në Maqedoni. Nuk ka rrezik në nivel Evropë por Tetovën dhe Shkupin po. Ministria e Ekologjisë duhet ta kontrolloj atë dhe të prononcohet për efikasitetin e sistemit aty sepse është rrezik që është ende aty me vite. Normal në këto raste duhet të hiqet toka dhe të bëhet analizë deri ku ka depërtuar sepse bikromati është goxha ndotës dhe i rrezikshëm për njeriun”, u shpreh Iljas Iljazi, ish-punëtor në Jugohrom.

Jugohromi i cili u mbyll në vitin 2016, kishte mbi 2000 punëtorë të cilët kryesisht ishin nga Jegunoci dhe fshatrat për rreth./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme