I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka treguar në gjyqin ndaj grupit të arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” detajet sesi ai është liruar nga burgu me ndihmën e personave të tjerë.
Në GJKKO ai përmend emrin e avokatit Alban Bengasi si ndërmjetës, ndërsa thekson se e ka ndihmuar dhëndri i vëllait të ministrit të Drejtësisë.
Po ashtu Dumani ka deklaruar se në atë kohë i siguruan një raport mjekësor që ishte i sëmurë dhe kishte vetëm pak muaj jetë.
Edhe seancën e kaluar, më 9 Janar, Nuredin Dumani rrëfeu ndihmën që mori për t’u liruar, por edhe faktin se te lokali i të pandehurit Petrit Qoli mblidheshin politikanë dhe zyrtarë të njohur të kohës. Të pandehur të tjerë janë biznesmeni Gentian Sharra, Festim Qoli, Adrian Uzuni, dhe Skerdi Tase.
Kujtojmë që SPAK po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.