Ndërsa skena politike në Kosovë po riorganizohet sërish para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një pjesë e opozitës serbe është bashkuar, për të treguar se ekziston një “zë tjetër politik”, i pavarur nga politika zyrtare e Prishtinës dhe e Beogradit.
Gjashtë subjekte politike serbe do të përpiqen më 7 qershor që, me një listë të përbashkët të quajtur “Bashkë fitojmë”, të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, ku komuniteti serb i ka dhjetë ulëse të rezervuara.
Në zgjedhjet e fundit, më 28 dhjetor, Lista Serbe fitoi nëntë mandate, ndërsa një mandat e mori Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.
Lista Serbe, që nga themelimi i saj, vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Rashiq shihet si partner i Qeverisë së Kosovës, me në krye Albin Kurtin, në të cilën për dy mandate ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim.
Tani, partitë e tjera serbe: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare Veriu për të Gjithë dhe Rrënjët, thonë se duan t’u ofrojnë pjesëtarëve të komunitetit serb një “perceptim tjetër të rrethanave politike” dhe të jenë “zëri i tyre autentik”.
“Në radhë të parë, bashkimi i opozitës serbe krijon hapësirë për ndryshime politike, sepse, pas më shumë se një dekade politikash që nuk kanë dhënë rezultate, mes qytetarëve me të cilët takohem çdo ditë, ka pakënaqësi”, thotë Saviq për Radion Evropa e Lirë.
Për ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, bashkimi i një pjese të opozitës serbe në Kosovë është “fillimi i një ekzistence të qëndrueshme të komunitetit serb”.
Ajo beson se ata do të arrijnë t’i mbrojnë “nevojat reale të serbëve, duke respektuar realitetin – bashkëjetesën mes serbëve dhe shqiptarëve”.
“Ata, në këtë moment, e kanë në masë të madhe mbështetjen e popullsisë së vetëdijshme serbe – me çfarë kam parasysh ata që e kanë kuptuar se Beogradi po manipulon me ta dhe nuk ofron asnjë projekt për krijimin e kushteve më të mira për mbijetesën e tyre”, thotë Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Vuçkoviq: Ka nevojë për ndryshime
Ivan Vuçkoviq, asamblist në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit nga nisma qytetare Rrënjët, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojat e përditshme dhe problemet me të cilat përballen bashkëkombësit e tij, kanë qenë kyç për bashkimin e një pjese të opozitës serbe.
“Do të kujdesemi për njeriun. Për ne është e rëndësishme që qytetari i thjeshtë të ndiejë se ka një lloj mbrojtjeje. Si një forcë e re, mendoj se mund të jemi edhe peshore vendimtare, kur bëhet fjalë për disa vendime të ardhshme të rëndësishme”, thotë ai.
Ai shpjegon se lista “Bashkë fitojmë” përbëhet nga aktorë politikë nga veriu dhe jugu i Kosovës.
Sipas tij, kjo marrëveshje për dalje të përbashkët në zgjedhje ka kërkuar kompromis nga të gjitha palët.
“Ka nevojë për ndryshime. Bashkimi sjell shpresë për ndryshime, mënyra tjera veprimi dhe mundësi për realizimin e ideve të reja. Prandaj, kemi vendosur t’i bashkojmë të gjithë aktorët relevantë opozitarë”, thotë Vuçkoviq.
Ai shton se shumica e subjekteve politike tashmë kanë asamblistë në komunat me shumicë serbe dhe se qytetarët janë të njohur me punën e tyre në nivel lokal.



