Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur në Libi pasi stuhia Daniel solli aq shumë shi në verilindje, saqë dy diga u shembën në një rajon të vetëm, duke përfshirë lagje të tëra në det.
Sipas mediave të huaja, më shumë se 2,000 njerëz kanë vdekur dhe rreth 6,000 të tjerë janë të zhdukur në qytetin Derna të prekur keq, tha Othman Abduljalil, ministri i shëndetësisë në qeverinë lindore të Libisë të mbështetur nga parlamenti.
“Situata [në Derna] ishte katastrofike… Trupat janë ende të shtrirë në shumë vende”, ka thënë Abduljalil për TV Almasar të Libisë nga Derna të hënën.
Duke e përshkruar Dernën si një “qytet fantazmë”, Abduljalil tha se pjesë të qytetit ishin izoluar nga përmbytjet.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë, duke thënë se autoritetet kanë nevojë për ekipe kërkimi dhe shpëtimi.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Libisë vlerësoi më herët se më shumë se 300 njerëz kishin vdekur në Derna, sipas një postimi në mediat sociale.
Ahmed Mismari, zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) me bazë lindore, bëri të ditur se dy diga ishin shembur nën presionin e përmbytjeve.
“Si pasojë janë shkatërruar tre ura. Uji i rrjedhshëm mori lagje të tëra, duke i ‘hedhur’ përfundimisht në det”, tha ai.