I mbushur në tatuazhe me simbole të Shqipërisë e Ilirisë, me puro në dorë dhe me një iguana në shpatull.
Kjo ishte jeta që ‘marketonte’ në rrjetet sociale Ismail Rebeshi, narkotrafikanti më i madh i zonës së Viterbos në Itali, i kapur në fillim të javës nga policia e shtetit fqinj.

Këtë të premte kanë dalë një sërë detajesh në lidhje me aktivitetin e 35 vjeçarit që në zonë njihej me emrin “Ermali”. Fqinjët e tij thonë se ai nuk fliste, por ishte shumë i lëvizshëm, duke qenë dhe pronar i një klubi nate e menaxher i një depoje makinash.
“Ai lëvizte shpesh gjatë ditës dhe gjatë natës, në të gjitha orët, por ishte një tip që nuk fliste”-tha njëri nga fqinjët.
Rebeshi ishte njëri ndër furnizuesit kryesorë të bandës së Sardiës e udhëhequr nga Sandro Arzu dhe Alessandro Ghisu. Arzu i kaloi 26 vite të jetës për shkak se kishte vrarë të atin, ndërsa Ghisu është arrestuar kohët e fundit.
Shqiptari trafikonte drogëra të forta, kokainë dhe heroinë dhe falë lidhjes mes Arzu e Ghisu, ai kishte lidhje dhe me bandat e mëdha të mafias italiane.
“Arzu dhe Ghisu ishin në krye të grupit më të fortë të dedikuar për trafikun e drogës në Sardenjë. Por ata vepruan gjithashtu në Lazio, Lombardi dhe jashtë saj, falë lidhjeve me Kamorrën, Ndrangheta dhe kriminalitetin e huaj. Trafikimi i drogës ishte shpërndarë në ishull dhe kishte kontakte me furnizuesit në Itali, Kolumbi dhe Shqipëri”, thotë njëri ndër hetuesit e operacionit që vunë në pranga bandën.
“Rebeshi furnizoi grupin sardian kryesisht me kokainë, por heroina nuk mungonte… Blerë nga tregtarët me shumicë në 3 milion e 400 mijë euro, në tregun me pakicë do të ketë sjellë 10 milionë euro.
Kontakti ndërmjet Rebeshit dhe organizatës sardele ishte Ghisu. Ai e dinte mirë gjuhën e 35 vjeçarit shqiptar. E njihte mirë edhe Viterbon”, thekson kapitenja e policisë Lucia Dilio.
Rebeshi nuk ishte një emër i panjohur pasi që në moshë të re ishte kapur me sasi të konsiderueshme kokaine në vlerën e 50 mijë eurove. Dy herë kishte hyrë në burg shqiptari për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa kësaj here akuzat do të jenë edhe më të rënda.



