“Më thirri të sqaroheshim!”- Vrasja e Martin Canit, si nisi sherri në tualetin e shkollës “Fan Noli”? Zbardhet dëshmia e autorit dhe oficeres së sigurisë

Pas disa muajsh nga ngjarja tragjike në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një sherri me bashkëmoshatarin e tij, humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, është zbardhur një pjesë e dëshmisë së autorit të mitur dhe oficeres së sigurisë në shkollë.


Mësohet se Mario Përlleshaj, në dëshminë e tij pranë autoriteteve gjyqësore është shprehur se e njihte Martinin si një nxënës të klasë së 9-të paralele dhe se më të nuk ka pasur konflikt më parë.

Sipas 14-vjeçarit të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese të fëmijës, Martini e ka thirrur të sqaroheshin, ndërsa ishte i shoqëruar me disa shokë të tjerë.

 “Nuk kam patur konflikt më parë. Atë ditë dola nga shkolla isha së bashku me shokun tim. Në atë moment më thirri Martini i cili ishte me dy apo më shumë persona që nuk i njihja. U ndava nga shoku im dhe u afrova tek Martini që më tha të shkoja me të, të sqarohesha, pa më thënë çfarë. Ecëm përpara dhe shokët e tij na ndiqnin pas. Pasi ndaluam më goditën”, deklaron Mario, i cili këmbëngul se nuk mban mend të ketë përdorur thikë, raporton TCH.

Por, shoku i Martinit, Luisi, që mbeti i plagosur gjithashtu, përshkruhet nga dëshmitarët e tjerë të mitur se ishte personi i parë që qëlloi me grusht në gjoks Marion. Luisi tregon se gjatë momenteve të sqarimit mes fëmijëve teksa po ecnin dëgjoi pyetjen: “o çuna a dini ndonjë vend ku blihen buqeta me lule?”

Veç dëshmive të nxënësve që u përfshinë në përleshje, prokuroria sipas TCH ka administruar edhe një pamje filmike, ku Mario Përlleshaj shfaqet duke u larguar me një send në dorë, në dukje si thikë.

Prokuroria po kërkon po ashtu një hetim të veçuar se kush prej stafit shkollor shpërdoroi detyrën, duke mos e konsideruar konfliktin mes nxënësve, i cili ka ndodhur para vrasjes.

Lidhur me ngjarjen është marrë dëshmia e oficeres së sigurisë së shkollë, shtetasja me inicialet J. K., e cila e ushtronte këtë detyrë në shkollën “Fan Noli’ prej një viti e gjysmë.

Dëshmitarja tregon se menjëherë mbasi u informua për një konflikt mes nxënësve në tualetin e shkollës, ka njoftuar drejtoreshën e shkollës “Fan Noli”, mësuesen kujdestare dhe psikologen.

Oficerja raportohet se kishte mësuar për sherrin mes Mario Përlleshaj, autori i arrestuar, dhe viktimës Martin Cani, nga një mësuese që dëgjoi tonet e larta mes tyre e sharjet për mamatë, para se të ndodhte vrasja.

“Shkova në tualet dhe vura re që nxënësit nuk ishin atje. Më pas thirra Martin Canin që më tha se kur kishte hyrë në këto ambiente kishte sharë kot dhe se shtetasi Mario Përlleshaj e kishte marrë personale me të. Thirra Marion dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me të, të dy ishin të qetë me njëri-tjetrin”, shprehet oficerja për grupin e hetimit.

Por, mbas orës së 6 të mësimit ajo mori dijeni për krimin e ndodhur pranë ambienteve të shkollës.

I akuzuari për vrasje, Mario Përlleshaj, ka kërkuar disa herë ndryshim mase, gjithashtu ka dorëzuar edhe dëftesën e notave ku rezulton me nota të mira, por kjo kërkesë që nuk është pranuar nga gjykata.

Mario Përlleshaj vazhdon të mbahet në burgun e të miturve, pasi siç thotë gjykata, vepra për të cilën dyshohet ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, është një krim për të cilin ligji parashikon dënimin jo më pak se njëzet vjet ose burgim të përjetshëm.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme