“Sa duhet të nxjerrësh në ditë?” Sa? Do të them se sa. 2000 denarë. Më thonë, shko fito 2000 menjëherë. Është e vështirë për ty? E kam të vështirë t’i nxjerr”.
Ky është fati i një numri të madh të fëmijëve që lypin rrugëve të Strugës këtë verë. Ky fëmijë tetëvjeçar, siç mund të dëgjoni nga videoja që na kanë dërguar pronarët e një kafeneje në qytet, ka për detyrë të fitojë 2000 denarë në ditë nga lypja. Ky fenomen është përhapur shumë dhe është i organizuar mirë nga grupe kriminale. Lypës kryesisht janë të mitur dhe nëna me foshnje. Edhe ambasada e fëmijëve “Megjashi” është e njoftuar me këtë dukuri.
Shumë shpesh lidhet me ndonjë biznes, pra me fitim. Ndoshta jo vetëm për mbijetesën e tyre, por edhe për disa të rritur, grupe dhe individë të tjerë të organizuar. Shumë shpesh lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore dhe punën e fëmijëve”, tha Jordanka Çerepnallkova Trajkoska nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”.
Autoritetet lokale në Strugë premtuan se do ta zgjidhin problemin në fillim të verës, por kjo nuk ndodhi. Nga SPB Ohër thonë se gjatë muajve korrik dhe gusht në Strugë janë realizuar 14 kontrolle. Janë gjetur 26 persona, njëri prej tyre i mitur. Janë dorëzuar edhe 25 kërkesa për kundërvajtje. Policia thotë se kontrollet kanë për qëllim edhe pronarët e apartamenteve që u japin lypësve dhoma me qira. Përndryshe, gjatë verës numri i personave të tillë ishte më i madh. Siç thonë nga policia, kjo ndodh për shkak të turistëve të huaj të cilët për shkak të gjendjes së tyre financiare, konsiderohen si objektiv i pashmangshëm për lypje.