Kandidati Emmanuel Macron është shpresa e fundit e Europës. Megjithatë një populiste triumfoi e u fut në balotazh në Francë. Kjo është një goditje historike për demokracinë, por ende jo katastrofë, mendon Bernd Riegert.
Mund të kishte ndodhur edhe më keq, por megjithatë rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë (23.04) nuk të bën të lumtur. Populistja e djathtë, Marine Le Pen renditet e dyta dhe futet në balotazh duke arritur suksesin më të madh politik të saj. Nacionalistja e pa frenuar është në ofensivë. Që nga marrja në dorë e kryesimit të partisë nga babai i saj antisemitist, ajo e ka udhëhequr Front National drejt suksesit – fillimisht në zgjedhjet lokale, ato europiane dhe tani në zgjedhjet presidenciale. Çfarë po ndodh në vendin e dytë më të madh të BE-së, që një politikane e talentuar e stratege por me botëkuptime të vjetëruara të ketë kaq sukses?
Shansi i dytë për votuesit
Le Pen vetëm për pak nuk arriti të marrë shumicën e votave. Ky është sensacioni i këtyre zgjedhjeve dhe fitorja e hidhur e demokratëve të vërtetë. Shpresa e fundit është socialdemokrati liberal Emmanuel Macron. Për të votoi arsyeja, jo emocioni. Në raundin e dytë pas dy javësh (07.05) bëhet fjalë që të arsyeshmit të votojnë për të, edhe pse nuk janë të bindur plotësisht për orientimin politik të tij.
Socialistët e konservatorët duhet dhe do të rreshtohen pas 39 vjeçarit jo me ndonjë përvojë të madhe në politikë. Sepse tani bëhet fjalë për të ndalur Marine Le Pen dhe fantazitë e saj të gjithënacionale. Disa vëzhgues zgjedhorë madje kanë folur për një efekt Trump në raundin e dytë, pra për një fitore të papritur të populistëve. Por kjo është në Francë gati e pamundur edhe për shkak të sistemit zgjedhor në këtë vend, që u mundëson zgjedhësve një shans të dytë për të marrë një vendim të arsyeshëm.
Paralajmërimi i fundit
Edhe nëse me shumë gjasë, Emmanuel Macron do t’ia dalë të hyjë në Pallatin “Elysee” këto votime mund të konsiderohen si paralajmërimi i fundit. Paraardhësit e Macron, konservatori Nicolas Sarkozy dhe socialisti i pafat, Francois Hollande nuk ia dolën të ripërtërijnë Francën, të ndërmarrin reformat e duhura ekonomike e shoqërore. Francezët në masë kanë votuar jo vetëm për të djathtën ekstreme, por edhe për të majtën ekstreme, për komunistin e vjetër, Jean-Luc Melenchon.
Gati çdo i dyti votues ndërkohë e refuzon sistemin e deritanishëm. Të kujtojmë që asnjë nga partitë tradicionale franceze nuk ka dalë në balotazh. Këtë moment duhet të shfrytëzojë Macron. Ai duhet të bëjë sërish për vete francezët e pasigurtë, të sjellë në mesin e shoqërisë ata që ndjehen të lënë mbrapa nga zhvillimet ekonomike, ata që ndjehen të kërcënuar nga të huajt e emigrantët. Kjo do të jetë detyra e tij më e vështirë.
Fqinjët e Francës dhe Bashkimi Europian, që të dielën mbajtën frymën për rezultatin zgjedhor, mund të qetësohen disi. Franca do të qëndrojë në eurozonë dhe nuk do të largohet nga NATO, siç do të vepronte Le Pen. Por europianët nuk mund të vazhdojnë të sillen më si më parë. Franca -si një shtyllë e fortë e BE-së përkrah Gjermanisë nuk është më aq e vetëkuptueshme, si mendohej. Emmanuel Macron do të shtrojë kërkesa ndaj BE-së. Ai kërkon lehtësime fiskale. Gjermania duhet të reduktojë suficitin tregtar me Francën. Ky nuk ka për të qenë një udhëtim i lehtë për kancelaren Merkel, por Macron duhet të ndihmohet. Europa duhet t’u tregojë francezëve, se ia vlen zgjidhje e arsyeshme kundër populizmit dhe izolacionizmit.
E në fund edhe diçka: Kësaj here sondazhet ia qëlluan: Pra demoskopët nuk i kanë të humbura shpresat, megjithë prognozat e gabuara për Brexit, Trump dhe zgjedhjet në Holandë.