Media serbe: Beteja për dominim në Evropë vendoset në Kosovë

Beteja për dominim mbi Evropën zhvillohet mes Gjermanisë e ShBA-ve, ndërsa shthurja mund të ndodhë në Kosovë, shkruan gazeta serbe “Blic” në numrin e sotshëm.

Kjo gazeta konstaton se dy vende jashtëzakonisht të fuqishme kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth çështjes së zgjidhjes së problemit të Kosovës. Për Gjermaninë Kosova është shtet i pavarur dhe bisedime në temën e ndryshimit të kufijve nuk ka, thotë gazeta dhe përkujton se këtë kryetarit të Serbisë Aleksandar Vucic para dy ditësh ia kanë thënë deputetët e Bundestagut Peter Beyer e Christian Schmidt.

Vucic, sipas një burimi diplomatik të gazetës, u ka thënë pse të bisedojmë atëherë, deri sa nuk duan të tërhiqen për asnjë pëllëmbë.

Gjermania e ShBA-ja, sipas këtij bashkëbiseduesi anonim, e kanë me inat. Çkado që të thotë kancelarja Angela Merkel, ShBA-të e hedhin poshtë, e ngjashëm vepron edhe pala tjetër. Prandaj, shkruan “Blic”, është e qartë se dy fuqitë botërore po luftojnë për dominim në këtë pjesë të Evropës dhe të dyja do të donin t’i përvetësonin meritat për arritjen eventuale të marrëveshjes.

“Deri sa Gjermanët janë të prerë, Amerika do ta mbështestë ndonjë zgjidhje të re. Për Uashingtonin këmbi i territoreve do të ishte ideal”, gjoja se ka thënë ky bashkëbisedues.

Ky burim, siç thotë gazeta, nga qarqet diplomatike në Berlin ka thënë se ShBA-të nuk kanë bërë të gjitha që Prishtina t’i heqë taksat, sepse është e qartë se ato do të hiqeshin kaherë sikur presioni të ishte adekuat. Por kësaj, shton ai, ShBA-të duan që tregimin për taksat ta përdorin për tregti me Serbinë kur për këtë të vijë koha.

Gazeta përkujton se ndihmësi i sekretarit të shtetit të ShBA-ve Matthew Palmer para do kohë ka thënë se është “koha e fundit” për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ka përkujtuar porosinë e presidentit amerikan Donalad Trump se negociatorët duhet të shfrytëzojnë nga “mundësia historike” që të arrijnë marrëveshjen.

Duke pasur parasysh se Parlamenti Evropian shpërndahet më 16 prill, “Blic” thotë se kanë mbetur edhe 11 ditë që ta arrihet arrëveshja dhe se aktualisht është vështirë të besohet se kjo edhe do të ndodhë.

Nëse deri në këtë kohë nuk arrihet kompromisi, deri në fund të vjeshtës do të jetë hapësirë e zbrazët dhe i tërë rasti duhet ta presë administratën e re.

“Do të fitojnë rrymat nacionaliste (në Evropë) dhe frika se pas kësaj askujt nuk do t’i ngutet për të gjetur zgjidhje për Kosovën”, thotë burimi i gazetës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme