Në pritje të vendimit nga gjykata franceze, për ekstradimin ose jo në Serbi, Ramush Haradinaj po kalon kohë në Strasburg, ku është fotografuar me vëllain e tij, duke pirë verë dhe darkuar në një restorant, nis një shkrim i mediumit serb, Telegraf.rs.
“Haradinaj është arrestuar në bazë të një urdhër arresti për krime lufte më 4 janar në aeroportin e Baselit – Mulhouse, në anën franceze të kufirit Francë – Zvicër. Ish-komandanti i UCK-së ishte duke shkuar në Basel të Zvicrës – aty ku është pronar i së paku tre hoteleve”, vazhdon shkrimi, transmeton Klan Kosova.
Më tej aty thuhet se vendimi për ekstradimin e Haradinajt në Serbi nga Gjykata e Colmarit është shtyrë për 6 prill, deri atëherë ai është lënë në liri, me kusht që të mos largohet nga Franca.
“Prokuroria për Krime Lufte është duke kryer hetime kundër Haradinajt për vrasjen e 70 vetave, shumë përdhunime dhe torturë mbi viktimat në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë – krime për të cilat Haradinaj akuzohet direkt. Ndër krimet më mizore janë heqja e kokës së dy foshnjave, përdhunimi shumë grave në një burg privat, ku janë therur dhe janë torturuar policët e kapur, të cilëve u janë prerë pjesë të trupit kurse dy të tjerë janë varrosur për së gjalli”, janë akuzat për të cilat shkruan Telegraf.rs.
Aty komentohen edhe takimet e Ramush Haradinajt me vëllain Daut Haradinaj, ku shkruan se shihen të lumtur teksa mbajnë duart dhe se Ramushi shkruan se nuk shqetësohet për akuzat ndaj tij.