Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili de fakto ka qenë negociatori kryesor i Serbisë në dialogun me Kosovën për vite me radhë, nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen kur të arrihet, por këtë do ta bëjë kryeministri i Serbisë.
Kështu shkruajnë mediat serbe, sipas të cilave mes rreshtave këtë e ka thënë vetë Vuçiq në një konferencë për media ku ka folur për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Unë e di se çfarë do të vendos, por jo në emër të Serbisë. Ata do të vendosin në emër të Serbisë, natyrisht, pasi do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë – organet e tjera kompetente shtetërore dhe ndoshta edhe qytetarët”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Dhe në këtë drejtim, siç vënë në pah mediat serbe, do të ishte e zakonshme dhe normale që marrëveshja të nënshkruhet nga kryeministri, sepse kjo del nga dispozita e Kushtetutës sipas së cilës Qeveria është organi ekzekutiv që zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë.
Ndërsa kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare, procedura është që fillimisht të zhvillohen negociatat, pastaj të miratohet teksti i marrëveshjes për të cilën palët janë marrë vesh, pastaj secila palë e njofton marrëveshjen, që do të thotë se përmbajtja e tekstit nuk mund të ndryshohet më, shkruan mediumi serb.