Sipas gazetës “To Vima”, e cila i referohet burimeve të sigurisë, pretendohet se të dyshuarit e organizatës terroriste të majtë DHKP-C planifikonin të kryenin sulm ndaj presidentit të Turqisë, Erdogan
Mediet greke pretendojnë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ishte në objektiv të 9 anëtarëve të organizatës terroriste DHKP-C, të cilët u arrestuan në Greqi, transmeton Albeu.com.
Në artikullin e gazetës thuhet se në disa shënime të konfiskuara nga policia greke (ELAS) gjatë operacioneve të realizuara, është zbuluar një plan i cili tregon se anëtarët e organizatës “planifikonin atentat ndaj presidentit turk Erdoğan me raketahedhës, bomba dore dhe koktej molotovi”.
Gazeta në fjalë shkruan se plani për atentat ndaj Erdoğan-it është emëruar me kodin “Akrep”. Në artikullin e gazetës greke thuhet se “sulmi do të kryhej gjatë kalimit të autokolonës së presidentit turk me raketahedhëse nga të dyja anët dhe se një grup i terroristëve do të vazhdonte sulmin nga pjesa e pasme e automjetit”.
Në mesin e anëtarëve të organizatës terroriste është edhe Hasan Biber, autori i sulmeve ndaj Qendrës së Përgjithshme të Partisë AK dhe të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë në vitin 2013.